
Policia ka bërë një reagim zyrtar për vrasjen e 51-vjeçarit, Valbon Beqiraj mbrëmjen e djeshme në Durrës.
Policia thotë se nga ekspertiza mjekoligjore, ka rezultuar se 51-vjeçari kishte shenja dhune në trup si edhe plagët të shkaktuara me mjetin prerës, si pasojë e të cilave dyshohet se ka humbur jetën. 51-vjeçari përdorte edhe një emër tjetër, Marko Beqiraj. Ai ishte i martuar dhe baba i një djali 12-vjeç.
Ai u gjet i pajetë nga nipi i tij brenda banesës, i cili më pas ka njoftuar policinë. Ndërkohë, grupi hetimor ka bërë kqyrjen e kamerave të sigurisë në zonë dhe ka identifikuar autorin. Po ashtu, policia ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë, përfshirë banorë të pallatit.
"Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Durrës.
Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në banesë, është gjetur pa shenja jete shtetasi V. B., alias M. B., rreth 51 vjeç.
Nga ekspertiza paraprake mjekoligjore e kryer nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka rezultuar se në trupin e 51-vjeçarit kishte shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjet prerës (thikë), si pasojë e të cilave dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën.
Përgjatë natës dhe aktualisht, grupi i posaçëm hetimor ka kryer dhe është duke kryer një sërë veprimesh të thelluara hetimore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Në përfundim të veprimeve, do të ketë një njoftim të plotë dhe të detajuar në lidhje me këtë ngjarje.", njofton policia.
Lini një Përgjigje