TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Shtator 2025, 12:32

Vrasja në Tepelenë/ Biznesmeni italian kishte plagë në kokë, dyshime se nuk është qëlluar me armë

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja në Tepelenë/ Biznesmeni italian kishte plagë në

Shtohen misteret mbi vrasjen e biznesmenit italian, Edoardo Sarchi, krim i ndodhur në orët e para të ditës së shtunë.

Nga detajet e fundit të raportuara janë ngritur dyshime se ndaj biznesmenit nuk është qëlluar me armë zjarri, edhe pse në njoftimin paraprak nga Policia e Shtetit thuhej se viktima kishte plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e viktimës duket se po i jep një tjetër rrjedhë ngjarjes.

Sipas raportimeve, viktima ka humbur jetën si pasojë e një goditjeje të fortë në kokë, që i ka shkaktuar gjakderdhje fatale.

Kjo hedh poshtë versionin e dhënë më herët nga ortaku i tij, Eqerem Braçi, i cili pretendonte se një person i panjohur kishte hapur zjarr ndaj makinës së italianit, dhe se viktima ishte plagosur gjatë tentativës për t’u larguar.

Ndërsa Braçi pretendonte për një sulm me armë, ekspertiza teknike nuk gjeti asnjë gjurmë plumbi në automjetin e Sarchit, përveç një gome të shfryrë.

Kjo, së bashku me vendndodhjen e plagës fatale në kokën e viktimës, ka ngritur dyshime serioze mbi vërtetësinë e dëshmisë së tij.

Ndërkohë, policia ka ndaluar Gazment Braçin, djalin e Eqerem Braçit, i cili më herët ishte shpallur në kërkim. Ai dyshohet se ka qenë i pranishëm në vendngjarje dhe aktualisht po merret në pyetje nga autoritetet.

Bazuar në të dhënat më të fundit, pista kryesore e hetimit po zhvendoset drejt një konflikti të mundshëm mes ortakëve të fabrikës së tullave, që Sarchi dhe Braçi kishin në Tiranë.

 

Lini një Përgjigje