Detaje të reja janë mësuar nga plagosja me armë e ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit. Ngjarja është regjistruar në një lokal në lagjen "Banesa", ku një konflikt mes disa adoleshentëve ka degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Sipas informacioneve paraprake, pas përplasjes verbale mes të rinjve është qëlluar me armë, duke shkaktuar plagosjen e njërit prej adoleshentëve. Dy të rinj të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta, njëri me gërvishtje në këmbë dhe tjetri në krah.
Të tre janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Paraprakisht mësohet se i plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa dy të tjerët kanë marrë dëmtime të lehta.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë së Elbasanit, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e personit që ka qëlluar me armë, si edhe për sqarimin e motiveve që çuan në konfliktin mes adoleshentëve. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga policia mbi identitetin e të përfshirëve apo shkaqet e përplasjes.
Lini një Përgjigje