Kronike 9 Dhjetor 2023, 21:00

Zbardhen detajet e grabitjes në Tiranë/ Ndaj efektivëve qëlluan 3 persona, autorët u prezantuan si policë te pronarët e banesës

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhen detajet e grabitjes në Tiranë/ Ndaj efektivëve
Foto nga vendi i ngjarjes

Në momentin e largimit, ata kanë lëvizur përballë patrullës duke rrezikuar dhe përplasjen e efektivëve...

Policia ka reaguar zyrtarisht mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Tiranë, ku grabitësit hapën zjarr ndaj efektivëve.

Sipas policisë, tre persona janë futur në banesën e një qytetari për të grabitur, por efektivët kanë mbërritur në kohë dhe ata janë përgjigjur me armë zjarri. Sipas njoftimit, edhe policët janë përgjigjur duke pasur në këtë mënyrë shkëmbim të shtënash. 

Mësohet se gjatë momentit që kanë hyrë në banesë grabitësit, brenda kanë qenë dy të moshuar. Kur kanë hyrë në banesë, ata janë prezantuar si policia. Ende nuk dihet se çfarë kanë grabitur për shkak të shokut që kanë kalur dy të moshuarit. Grabitja brenda banesës nuk ka zgjatur për shumë minuta, për shkak se fqinjët kanë dëgjuar britmat dhe kanë njoftuar policinë.

Zbardhen detajet e grabitjes në Tiranë/ Ndaj efektivëve
Banesa e grabitur

"Më datë 09.12.2023, rreth orës 19:13, në fshatin Prush, përballë ambulancës, në banesën e shtetasit G. H., janë futur disa persona, të armatosur.

Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe në momentin që janë afruar afër banesës, tre personat e armatosur, kanë qëlluar me armë ndaj tyre. Policia është përgjigjur me armë ndaj tyre.

Shërbimet e DVP Tiranë, RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, po vijojnë krehjen e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar”, njofton policia.

Sipas burimeve jo zyrtare, autorët pas shkëmbimit të zjarrit, kanë arritur të hipin në një mjet tip “Audi” ngjyrë e bardhë, me të cilin dhe janë larguar. Në momentin e largimit, ata kanë lëvizur përballë patrullës duke rrezikuar dhe përplasjen e efektivëve. Makina rezulton me targa të vjedhura, teksa gjurmët janë humbur te zona e Liqenit të Thatë. Policia po kryen kontrolle për kapjen e tyre.