Kronike 7 Maj 2023, 15:05

Zbardhet dinamika e vrasjes së shqiptares në Itali, autori rrëfehet në polici: Sapo më ofendoi, mora armën dhe e qëllova

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhet dinamika e vrasjes së shqiptares në Itali, autori

Sapo më ofendoi, nuk e pashë më... Mora armën dhe e qëllova”. Kështu ka deklaruar 27-vjeçari që vrau një ditë më parë në Itali shqiptaren Danjela Neza, 28 vjeçe.

Ai është marrë në pyetje nga hetuesit, ku ka deklaruar se ajo e ka fyer mbi ngjyrën e lëkurës së tij. Safayou Sow është me origjinë nga Guine dhe është një person më ngjyrë.

Që nga mëngjesi i djeshëm ai është mbyllur në një qeli në burgun Marassi në Xhenova.

Ata kishin një raport dashurie mes tyre, por marrëdhënia praktikisht kishte përfunduar . Siç ndodh shpesh në këto raste, të premten ata kishin vendosur të takoheshin për një tentativë të fundit për pajtim. Të dy punonin në të njëjtin restorant në Savona. Me sa duket ata kishin rënë dakord të takoheshin në fund të shërbimit. Ishte ai që nuk donte t'i jepte fund lidhjes. Dhe kështu, vonë në mbrëmje, ata ishin ulur në makinën e Safayou në një parking midis Corso Ricci dhe Piazza delle Nazioni, jo shumë larg stacionit hekurudhor Savona. Diskutimi do të kthehej shpejt në një debat të dhunshëm, me fjalë fyese ndoshta nga të dyja palët, edhe pse versioni i vetëm i disponueshëm është ai i vrasësit.

Në një moment, gjithmonë sipas historisë së 27-vjeçarit,ajo kishte nisur ta fyente. Dhe kështu Safayou Sow doli nga makina dhe nxori pistoletën e tij nga bagazhi, një gjysmë automatik i kalibrit 22, me të cilin qëlloi. Gruaja u vra nga një e shtënë në ballë. Pas krimit, ishte vetë Safayou që thirri policinë: "Ejani më merrni, kam vrarë dikë". Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur agjentët dhe një ambulancë 118. Punonjësit shëndetësorë konstatuan se e reja kishte ndërruar jetë.

Por edhe pse ai shprehet se ajo e fyeu dhe kjo solli reagimin e tij, ka shumë pikëpyetje. Pse shkoi në takim duke mbajtur në makinë një armë ilegale me një numër serie të gërvishtur? Prej sa kohësh dispononte atë? Pyetje të cilave ai nuk do u ka dhënë përgjigje bindëse për momentin. Viktima ishte me precedentë për krime të vogla droge dhe konflikte pronësie. Në shkurt të vitit të kaluar ajo kishte marrë një paralajmërimi nga komisariati i policisë së Savonës për një rast dhune në familje ndaj një personi tjetër. Safayou Sow, nga ana tjetër, ka një histori të pastër dhe nuk ka pasur kurrë probleme me drejtësinë. Një eksperiencë krejt ndryshe që nuk mund të justifikojë kurrë epilogun e së premtes mbrëma. Hetimet janë ende në fillimet e tyre. Ajo që hetuesit duan të sqarojnë është se “nuk ka pasur shenja paraprake të tragjedisë”. Në fakt, nuk ka mosmarrëveshje të mëparshme në kontekstin e marrëdhënies. “Për më tepër – shtojnë ata – nuk kemi prova për ankesa apo raportime për kërcënime apo rreziqe të mundshme për viktimën”. /Corriere Della Sera

 

itali vrasja e shqiptares