TAGS-AT E JAVËS

Kulture27 Qershor 2026, 17:30

Napoleoni, njeriu që ndryshoi historinë e Evropës

Shkruar nga Pamfleti
Napoleoni, njeriu që ndryshoi historinë e Evropës
Napoleon Bonaparti

Napoleoni, njeriu i kohërave të reja

Rrallëherë historia ka njohur një njeri që, në moshën vetëm 27-vjeçare, brenda katër vitesh të kalojë nga një gjeneral i ri dhe pak i njohur në udhëheqësin politik të vendit të tij. Dhe ai vend ishte Franca, një nga fuqitë më të mëdha të Evropës. Po aq rrallë ka ndodhur që një figurë historike të jetë në të njëjtën kohë një gjeni ushtarak dhe një burrë shteti, i aftë të ndërtojë institucione që do të mbijetonin për shekuj. Shumë prej institucioneve franceze të sotme e kanë origjinën pikërisht në epokën e Napoleonit.

Çfarë fshihet pas kësaj aventure të jashtëzakonshme?

Në radhë të parë, një ndryshim i madh historik. Revolucioni Francez shembi rendin e vjetër, privilegjet e aristokracisë dhe pushtetin absolut të monarkisë, duke hapur rrugën për një shoqëri të re. Por një botë e re kishte nevojë edhe për njerëz të rinj. Dhe kush mund ta përfaqësonte më mirë këtë epokë sesa vetë rinia? Nuk është rastësi që shumë prej drejtuesve të Revolucionit ishin njerëz të rinj, të bindur se mund të ndërtonin një Francë krejt ndryshe.

Napoleoni ishte një prej tyre. I lindur në Korsikë, një ishull i sapobashkuar me Francën, ai vinte nga një familje fisnike modeste. Ambicia e tij ishte e qartë që në fillim: të ngjitej sa më lart në ushtri. Fillimisht u bë toger, më pas kapiten dhe, falë aftësive të tij në artileri, u emërua gjeneral në një moshë shumë të re. Besnikëria ndaj Republikës dhe talenti në fushën e betejës e bënë të binte shpejt në sy.

Kur mbërriti në Paris, Revolucioni kishte hyrë në një fazë të re. Jakobinët kishin humbur pushtetin dhe vendi drejtohej nga Direktorati. Ishte një regjim më pragmatik, ku politika ndërthurej me interesat ekonomike, me ish-revolucionarë, ushtarakë dhe figura të fuqishme të kohës.

Napoleoni nuk mbeti në hije. Ai u përshtat menjëherë me realitetin e ri dhe fitoi besimin e Paul Barras, një prej njerëzve më me ndikim të Direktoratit. Barras e kuptoi se kishte përballë një komandant të aftë, një njeri që dinte të drejtonte ushtarët dhe të merrte vendime të shpejta.

Rasti për ta provuar këtë erdhi në vitin 1795, kur monarkistët u përpoqën të rrëzonin qeverinë republikane. Napoleoni nuk hezitoi. Ai përdori artilerinë kundër kryengritësve dhe e shtypi revoltën me vendosmëri. Ishte një veprim i ashpër, por që i hapi rrugën drejt karrierës politike dhe ushtarake.

Pak kohë më vonë ai u martua me Jozefinën de Beauharnais, një vejushë elegante dhe e njohur në qarqet e larta të Parisit. Edhe pse martesa e tyre do të kalonte shumë sprova, Napoleoni do të ruante gjithmonë një lidhje të fortë emocionale me të.

Gjenerali që ndryshoi fatin e Italisë

Direktorati i besoi Napoleonit komandën e Ushtrisë së Italisë. Në Paris kjo konsiderohej një detyrë dytësore, pasi fronti kryesor ndodhej në Gjermani. Ushtria që ai mori në dorë ishte e varfër, e uritur dhe e pajisur keq. Pak veta besonin se mund të arrinte ndonjë sukses.

Por Napoleoni mendonte ndryshe.

Brenda pak javësh ai e shndërroi atë ushtri në një forcë të disiplinuar dhe jashtëzakonisht të lëvizshme. Mposhti trupat piemontese dhe austriake njëra pas tjetrës, hyri fitimtar në Milano dhe ndryshoi të gjithë ekuilibrin politik të Italisë Veriore.

Ajo që e bënte të ndryshëm nga komandantët e tjerë ishte mënyra si e konceptonte luftën. Ai lëvizte trupat me shpejtësi, përdorte artilerinë si armën kryesore të sulmit dhe mbante një koordinim të vazhdueshëm mes njësive të ushtrisë. Fitoret e tij nuk ishin rastësi, por rezultat i një strategjie të menduar me kujdes.

Në të njëjtën kohë, ai dërgoi në Francë pasuri të mëdha, para dhe qindra vepra arti të marra nga territoret italiane. Prestigji i tij u rrit aq shumë, saqë shumë francezë nisën ta shihnin si njeriun që mund t'i jepte vendit stabilitet dhe madhështi.

Nga Egjipti drejt pushtetit

Pas suksesit në Itali, Napoleoni mori një mision të ri: ekspeditën në Egjipt. Objektivi ishte të goditej Britania duke ndërprerë rrugët e saj tregtare me Indinë.

Në tokë, ushtria franceze fitoi disa beteja të rëndësishme. Por në det situata ishte krejt tjetër. Admirali britanik Horatio Nelson shkatërroi flotën franceze në Betejën e Nilit, duke e lënë Napoleonin të izoluar në Egjipt.

Ndërkohë, në Francë situata politike po përkeqësohej. Direktorati po humbiste autoritetin dhe vendi kishte nevojë për një udhëheqës të fortë. Napoleoni vendosi të kthehej në Paris, duke lënë ushtrinë në Egjipt.

Ai e kuptoi se kishte ardhur momenti i tij.

Në vitin 1799, me grushtin e shtetit të njohur si 18 Brumairi, ai rrëzoi Direktoratin dhe u bë Konsulli i Parë. Në letër pushteti ndahej mes tre konsujve, por shumë shpejt ishte e qartë se vetëm njëri vendoste për gjithçka.

Napoleoni ishte bërë njeriu më i fuqishëm i Francës. /Përshtatur nga Corriere Della Sera

bonaparti europa franca

Lini një Përgjigje