TAGS-AT E JAVËS

Kulture28 Janar 2026, 13:38

Një “Eliksir Dashurie” për Shën Valentin: Donizetti rikthehet në skenën e TKOBAP

Shkruar nga Pamfleti
Një “Eliksir Dashurie” për Shën Valentin: Donizetti
Një “Eliksir Dashurie” për Shën Valentin: Donizetti rikthehet në skenën e TKOBAP

Muaji i dashurisë sjell në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor një nga veprat më të dashura të repertorit operistik botëror: “L’elisir d’amore” e Gaetano Donizetti-t. Një komedi lirike plot dritë, ndjenjë dhe finesë muzikore, që rikthehet e plotë për publikun shqiptar pas 14 vitesh mungesë.

Ky produksion i ri ofron një lexim skenik bashkëkohor, duke e zhvendosur veprën në një fshat piktoresk bregdetar mesdhetar, ku deti, dielli dhe ëndrrat ndërthuren natyrshëm me historinë e dashurisë së pastër dhe naive të Nemorinos. Në qendër të rrëfimit qëndron besimi i tij i thjeshtë se një elisir magjik mund t’i hapë zemrën Adinës – një metaforë e bukur për shpresën njerëzore për t’u ndjerë i dashur dhe i zgjedhur.

Me komicitetin e lehtë që e karakterizon dhe me romantizmin e ngrohtë të muzikës së Donizetti-t, “L’elisir d’amore” mbetet një himn për dashurinë e sinqertë, për guximin për të ëndërruar dhe për fuqinë e ndjenjave që, edhe kur duken naive, janë thellësisht njerëzore.

Produksioni bashkon në skenë emra të spikatur të skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, të ndarë në dy kaste interpretësh, duke sjellë një larmi temperamentesh artistike dhe ngjyrash vokale. Një kënaqësi e veçantë është prania e artistëve shqiptarë që po shkëlqejnë në skenat ndërkombëtare, si Enkeleda Kamani dhe Gëzim Myshketa, të cilët i japin këtij realizimi një dimension të gjerë profesional dhe artistik.

Roli i Adinës merr jetë përmes interpretimit të Enkeleda Kamani dhe Nina Muho, të cilat sjellin finesë vokale dhe ndjeshmëri skenike, duke nxjerrë në pah shpirtin e lirë, lozonjar dhe inteligjent të personazhit.
Galeano Salas dhe Matteo Mezzaro, në rolin e Nemorinos, ndërtojnë me delikatesë figurën e djaloshit të ndrojtur, të sinqertë dhe thellësisht të dashuruar.
Ndërsa Davide Luciano dhe Artur Vera i japin Belcores autoritet, prani dhe një kontrast të fortë dramatik.

Një nga pikat më të ndritura të veprës, Doktor Dulcamara, mishërohet nga Gëzim Myshketa dhe Matteo D’Apolito, me energji shpërthyese, karizëm dhe një sens të mprehtë komik që gjallëron çdo skenë.
Ana Tafani dhe Greis Shametaj plotësojnë mozaikun artistik me Gianettën e tyre plot freski, hijeshi dhe elegancë.

Nën regjinë e Riccardo Canessa-s, me skenografi dhe kostume nga Alfredo Troisi, si dhe me Kor-in dhe Orkestrën e TKOBAP-së të drejtuar nga maestro Jacopo Brusa, ky produksion sjell në skenë gjallërinë, optimizmin dhe dritën e muzikës së Donizetti-t.

“L’elisir d’amore” nuk është thjesht një histori dashurie – është një ftesë për të besuar, për të buzëqeshur dhe për të kujtuar se, ndonjëherë, elisiri më i fuqishëm është vetë dashuria. Shijojeni në datat 11, 12, 13 dhe 14 shkurt.

Një “Eliksir Dashurie” për Shën Valentin: Donizetti

eliksir dashurie tkobap

Lini një Përgjigje