
Një dokument i gjendjes civile zbulon se mbiemri “Alia” ishte emri i gjyshit, ndërsa origjina e familjes së tij lidhet me Rrafshin e Dukagjinit...
Një dokument arkivor që po qarkullon në rrjet hedh dritë mbi origjinën familjare të Ramiz Alisë. Mbiemri i tij nuk ishte trashëgim, por zgjedhje e babait të tij, që kishte emrin Taip Kafexhija nga Istogu i Kosovës. Historia e familjes shpjegon lëvizjet nga Kosova në Shkodër e Tiranë dhe rrënjët e lidhjes së tij me elitën komuniste.
Një dokument i gjendjes civile, që po qarkullon prej disa studiuesish, zbulon një fakt interesant mbi origjinën familjare të Ramiz Alisë, udhëheqësit të fundit komunist dhe Presidentit të parë të periudhës postkomuniste. Sipas këtij dokumenti, mbiemri “Alia” nuk është trashëgim familjar, por emri i gjyshit të tij nga ana e babait. Babai i Ramizit, Taipi, e zyrtarizoi këtë mbiemër kur u vendos në Shkodër në fillim të shekullit XX, duke lënë pas mbiemrin origjinal “Kafexhija”.

Sipas regjistrave arkivorë, familja Kafexhija kishte prejardhje nga Rrafshi i Dukagjinit, në zonën e Istogut, e njëjta krahinë nga e cila vinte edhe Ibrahim Rugova. Familja u shpërngul nga Kosova drejt Shkodrës, ku jetoi me qira në kullën e Oso Kukës, sot muze historik. Më pas u vendosën në Tiranë, ku Ramizi, më i vogli nga pesë fëmijët e Taipit, nisi karrierën që do ta çonte në majat e pushtetit.
Si ministër i Arsimit dhe Kulturës, Ramiz Alia u përfshi në periudhën e masivizimit të arsimit dhe zhdukjes së analfabetizmit. Gjatë mandatit të tij u hap Universiteti i Tiranës dhe Kinostudio “Shqipëria e Re”, që ai vetë e konsideronte arritjen më të madhe të karrierës së tij.
Në jetën private, Alia mbajti një kujdes të veçantë për të ruajtur figurën e pastër familjare. Pak njiheshin vëllezërit dhe motrat e tij, por lidhja familjare me Enver Hoxhën përmes martesës së mbesës Teuta me djalin e Hoxhës, Ilirin, u bë një faktor vendimtar në ngritjen e tij pas vdekjes së diktatorit.
Pas vitit 1991, me rënien e sistemit, Ramiz Alia u akuzua nga kundërshtarët për origjinë serbo-malazeze, por njerëz që e kanë njohur e kanë pohuar se rrënjët e tij ishin nga Kosova. Ai vetë nuk e ka folur kurrë publikisht për këtë, duke e mbajtur historinë familjare në heshtje, mes legjendës dhe kujtesës së një epoke që përfundoi me të./Pamfleti
Akoma vazhdoni ti përmendni kta të degjeneruar? Ky na i bëri lëmsh demokracin me Salimutajn dhe nipin e Spiro Kolekës . Me urdhër të ktit dhelprës e sollën Ramën nga Franca.