
Një qytetar, gjatë protestës së 42-të para Kryeministrisë, ngriti shqetësimin për shpenzimet e bëra për koncertin e Kanye West, duke e krahasuar situatën me mënyrën se si një shtet me ekonomi më të madhe menaxhon fonde të tilla.
Sipas protestuesit, organizimi i aktiviteteve të mëdha nuk duhet të bëhet në kurriz të shërbimeve bazë për qytetarët. Ai solli si shembull rastin e Turqisë, e cila sipas tij kishte ftuar më herët artistin amerikan, por pagesa ishte bërë nga buxheti i shtetit dhe jo nga fondet e emergjencave.
Qytetari kritikoi gjithashtu gjendjen e disa shërbimeve publike, duke përmendur mungesën e gjeneratorëve dhe karburantit në spitalin pediatrik, ndërsa kërkoi më shumë transparencë për përdorimin e fondeve publike.
“Tek pediatria nuk kishte gjenerator dhe karburant. Për interesa personale të dikujt që nuk dua t’ia përmend emrin, 4 mln euro e kusur paguhen për të paraqitur Shqipërinë kështu. Mjafton një shembull për të rrëzuar këtë propagandë të neveritshme. Turqia para disa vitesh ftoi këtë këngëtarin, por pagoi jo nga emergjencat, por nga buxheti i vet 4 mln euro. Buxheti i Turqisë është 50 herë më i madh se ai i Shqipërisë”, tha ai.
Aktivisti i Diasporës, Florian Haçkaj, iu bashkua protestës së 42-të kundër qeverisë në Tiranë, ku deklaroi se sulmet publike të kryeministrit Edi Rama ndaj tij nuk do ta ndalin të marrë pjesë në protestat qytetare.
Haçkaj tha se kishte udhëtuar nga Zvicra së bashku me familjen për t'u bërë pjesë e tubimit, ndërsa shtoi se protesta po frymëzon gjithnjë e më shumë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Sipas tij, protesta tashmë ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe po organizohet kudo ku jetojnë shqiptarë.
Haçkaj u bëri thirrje qytetarëve të mos tërhiqen, por të bashkojnë familjarët dhe miqtë në protestë, duke theksuar se vetëm përmes pjesëmarrjes masive mund të arrihet ndryshimi.
Ai kërkoi gjithashtu zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për fondet e kundërshtuara nga protestuesit dhe e mbylli fjalën me thirrjen për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Sot kam ardhur nga Zvicra me familjen direkt në protestë. Jeni heronjtë e të gjithëve ne. Ka pasur protesta gjithandej, motivimi ynë jeni ju. Ky kryeministër i çnderuar bëri një video 7 minuta për mua, siç ka bërë për shumë prej jush. Qëllimi është intimidimi, nuk kemi frikë fare, as BB, as TB, që e kanë shpërndarë videon si dele. Këtu do të jemi përditë. Mos u intimidoni, këta turpërohen kur njerëz të lirë dalin përditë. Të merret vendimi i GJK që ato para të mos lëvrohen. Koha e frikës kaloi, sot është dita e 42-të. Merrni përdore miqtë e familjarët, kur zvogëlohet numri duhet të dalim të gjithë. Bashkimi e bën fuqinë. Rama të japë dorëheqjen”, tha aktivisti.

Aktivisti Edison Lika ironizoi qeverinë, duke deklaruar se institucionet shtetërore ishin angazhuar më shumë për koncertin e Kanye West sesa për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestën e 42-të para Kryeministrisë, Lika u shpreh se edhe autobusët e transportit publik, që mungojnë në shërbim të përditshëm të qytetarëve, ishin vënë në dispozicion të organizimit të aktivitetit.
Ai kritikoi gjithashtu përdorimin e fondeve publike, duke theksuar se qeveria i shtoi edhe 4 milionë euro financimit për koncertin. Lika deklaroi se protesta mblodhi më shumë qytetarë se aktiviteti në fjalë.
Në përfundim të fjalës së tij, aktivisti u shpreh se në shesh ishin mbledhur "shqiptarët e lirë", ndërsa përsëriti thirrjen drejtuar kryeministrit Edi Rama për të dhënë dorëheqjen.
“Sot i gjithë shteti në shërbim të Kanye West. Autobusët që nuk vijnë kurrë për qytetarët kishin marrë emrin Kanye West. Transporti nuk është kurrë aty për qytetarët. Qeverisë tonë sikur të mos mjaftonin lekët i shtoi 4 milionë euro dhe prapë ky shesh ka shumë më shumë se aty. Në këtë shesh janë shqiptarët e lirë që këndojnë këngën e lirisë sonë. Rama jepe dorëheqjen”, tha Edison Lika.
Protesta e 42-të radhazi kundër qeverisë dhe klasës politike vijoi me fjalime të qytetarëve dhe figurave publike përpara Kryeministrisë. Mes tyre ishte edhe aktori Mehdi Malkaj, i cili hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se qeveria nuk ka përmbushur premtimet me të cilat mori besimin e qytetarëve.
Në fjalën e tij, Malkaj u ndal te premtimet për shëndetësinë, arsimin dhe pensionistët, duke pyetur se ku kanë mbetur angazhimet e marra nga qeveria.
“E keni vënë re që kryeministri thotë: ‘Unë do ta çoj deri në fund, se unë kam një kontratë’? Në kontratën që kemi bërë bashkë, ai ka thënë mjekësia falas. Ku është? Arsimi model ku është? Pensionistët që do të gëzonin, ku janë? Ku e gjen ai të drejtën të na thotë se çfarë do të bëjmë?”, u shpreh aktori.
Malkaj i bëri thirrje kryeministrit që të dalë përballë qytetarëve dhe të japë llogari për qeverisjen e tij.
“Të vijë këtu dhe t’ia tregojmë kush është. Ne jemi populli shqiptar, trim. Ne kemi vrarë frikën”, deklaroi ai, ndërsa fjalët e tij u shoqëruan me duartrokitje dhe brohoritje nga protestuesit.
Tubimi përpara Kryeministrisë u zhvillua në kuadër të ditës së 42-të të protestave, të cilat, sipas organizatorëve, do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesës kryesore për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik në vend.

Aktivisti Arbër Lleshi, gjatë fjalës së mbajtur në protestën e 42-të para Kryeministrisë, deklaroi se lëvizja qytetare ka arritur rezultate konkrete, por sipas tij beteja nuk ka përfunduar ende.
Ai u shpreh se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar qeverinë aktuale si më të korruptuarën që ka njohur vendi.
Aktivisti Lleshi tha gjithashtu se "bashkimi i shqiptarëve kundër dipolit politik është më i fortë se kurrë teksa kujton se ndaj popullit është bërë padrejtësi. Ai kujton "Gërdecin", "21 Janarin" dhe aferat korruptive.
“Vetëm në 2 javët e para PE e bëri të qartë se ligji që masakron zonat e mbrojtura duhet anuluar. Kemi akoma shumë për të bërë, na duhet të jemi këtu deri në dorëheqjen përfundimtare të qeverisë më të korruptuar që ka parë Shqipëria ndonjëherë. Bashkimi i shqiptarëve kundër dipolit politik është më i fortë se kurrë dhe po iu kujtojmë sa padrejtësi është bërë ndaj nesh. Ne jemi rritur mes gëzhojash. Mos harrojmë Gërdecin, 21 Janarin dhe aferat korruptive.
Infrastruktura është lënë përgjysmë, në fshatin tim rruga nuk bëhet prej 40 vitesh, ndërkohë 4.2 milionë euro shkojnë për një fashist. Rama nëse nuk ka pasur dijeni për vjedhjet duhet të largohet për paaftësi, në të kundërt të largohet, por në të dyja rastet nuk është më kryeministri ynë. Ministrat dhe deputetët nuk përgjigjen, Parlamenti është bllokuar me hekura si burg. Njerëzit duhet të futen dhe të takojnë deputetët”, deklaroi Lleshi.
Edhe në ditën e 42-të të protestës qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike, qindra qytetarë u mblodhën përpara Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesën që e cilësojnë të panegociueshme: largimin e kryeministrit Edi Rama. Pas marshimit nga sheshi “Skënderbej”, protestuesit mbushën bulevardin përpara godinës së qeverisë, ku vijuan fjalimet dhe thirrjet kundër ekzekutivit.
Një nga fjalimet më të forta të mbrëmjes u mbajt nga aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila deklaroi se protesta 42-ditore ka rrëzuar, sipas saj, mitin se shqiptarët nuk dinë të bashkohen dhe të reagojnë për të drejtat e tyre.
“Në 36 vjet punuan për të na mësuar se jemi popull i pacivilizuar, që nuk formojmë dot shtet, që nuk revoltohemi dhe nuk bëhemi dot bashkë. Për 36 vite na rraskapitën, na lanë pa arsim dhe na quajtën kriminelë. Ajo që ka ndodhur u përmbys për 42 ditë. Shoqëria shqiptare doli e gjitha në rrugë në solidaritet. Treguam se jo çdo popull meriton qeverinë që ka. Shoqëria shqiptare nuk e meriton Edi Ramën kryeministër dhe Belinda Ballukun zëvendëskryeministre”, u shpreh ajo.
Vatnikaj tha se protesta ka dëshmuar se qytetarët janë të aftë të organizohen dhe të artikulojnë kërkesat e tyre për një Shqipëri ndryshe.
“Në 42 ditë kemi treguar se dimë të artikulohemi dhe se mund të krijojmë një Shqipëri të re, pa hajdutë në krye të shtetit. Kjo nuk ndodh vetëm në Tiranë. E keni parë sesi janë organizuar Elbasani, Korça dhe Lezha. E keni parë sesi janë organizuar shqiptarët në çdo cep të Shteteve të Bashkuara dhe Europës?”, tha ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, aktivistja u shpreh se as temperaturat e larta të verës dhe as sezoni turistik nuk e kanë zbehur vendosmërinë e protestuesve.
“Ata menduan se Botërori do të na mposhtte, se vapa dhe pushimet i kemi më të shtrenjta se demokracinë. Por ne, si ditën e parë, jemi këtu duke kërkuar vetëm një gjë: Rama, jep dorëheqjen”, deklaroi Vatnikaj, mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të protestuesve.
Protesta ka hyrë tashmë në ditën e 42-të radhazi dhe organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë çdo mbrëmje deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke këmbëngulur se lëvizja tashmë ka tejkaluar kauzën fillestare të Zvërnecit dhe është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër qeverisë dhe sistemit politik.

Protesta e 42-të kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama u shoqërua me një seri pankartash dhe mesazhesh të forta të mbajtura nga qytetarët në bulevard.
Pankartat u kthyen në një formë të drejtpërdrejtë komunikimi për protestuesit, duke përcjellë përmes ironisë, kritikës dhe thirrjeve për ndryshim të situatës politike, sociale dhe ekonomike në vend.
Protestuesit shprehën pakënaqësi ndaj qeverisë, duke kërkuar ndryshim politik, më shumë transparencë dhe reagim ndaj problematikave sociale e ekonomike.
Ndër pankartat dhe sloganet që spikatën gjatë tubimit ishin: “Rama ik!”, “Dhi e zgjebosur dhe bishtin përpjetë”, “Rama jep dorëheqjen”, “Stop korrupsionit”, “Populli kërkon ndryshim”, “Mjaft më me premtime, duam zgjidhje”, “Pa fermer nuk ka bukë, pa drejtësi nuk ka besim”, “Dëgjoni fermerin, respektoni punën tonë, mbroni tokën që ushqen vendin”.
Protestuesit gjithashtu ngritën pankarta që lidhen me koston e jetesës, largimin e të rinjve jashtë vendit dhe shqetësime për qeverisjen, duke shfaqur hapur pakënaqësinë qytetare ndaj mazhorancës.
Përveç pankartave, gjatë protestës u dëgjuan edhe thirrje kundër kryeministrit Rama dhe kërkesa për ndryshim të klasës aktuale politike.











Një qytetar i moshuar, i cili ka marrë pjesë në protestën e 42-të kundër qeverisë, ka ngritur shqetësime për situatën në zonën e Saukut të Vjetër. Ai ka deklaruar se banorët përballen prej muajsh me probleme me furnizimin me ujë.
Sipas tij, uji në zonë ka erë të rëndë dhe ka shkaktuar probleme shëndetësore për banorët. Qytetari deklaroi se pavarësisht ankesave të bëra në institucione, problemi nuk ka marrë një zgjidhje.
Protestuesi kritikoi gjithashtu gjendjen në spitale, duke deklaruar se gjatë një trajtimi mjekësor është detyruar të blejë vetë ilaçet për shkak të mungesës së tyre. I moshuari akuzoi edhe zyrat shtetërore për mosreagim, duke thënë se ato janë të mbushura me persona që, sipas tij, nuk u japin zgjidhje qytetarëve.
“Jam në protestë për të gjitha të këqijat që po i bëhen Shqipërisë. Kam qenë në spital sepse jemi helmuar nga uji në zonën e Saukut të Vjetër. Uji mban erë pusetë prej 6 muajsh dhe askush nuk ka marrë masa.
Në spital pagova 10 mijë lekë ilaçe, sepse nuk kishte ilaçe dhe u detyrova t’i blija vetë. Në zyra shkon dhe nuk gjen zgjidhje, janë mbushur me patronazhistë.
Kjo është arsyeja pse jam sot në protestë”, tha qytetari.
Protesta e 42-të në Tiranë vijon me marshimin e qytetarëve drejt Kryeministrisë, ndërsa pjesëmarrësit shprehen se do të vazhdojnë tubimet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Mijëra qytetarë marshuan drejt Kryeministrisë në ditën e 42-të të protestës në Tiranë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës dhe ndryshimin e sistemit politik në vend.
Ka nisur marshimi i protestuesve nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, në ditën e 42-të të protestave në Tiranë. Mijëra qytetarë i janë bashkuar tubimit qytetar duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, si një kërkesë të panegociueshme.
Protestuesit i kanë bërë thirrje kreut të qeverisë që të dalë përballë tyre në bulevard dhe të japë llogari për shqetësimet e ngritura prej tyre.
Qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur pankarta dhe duke përsëritur slogane kundër qeverisë dhe klasës politike.
Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje si: “Rama, dorëhiqu!”, “Poshtë qeveria!”, “Shqipëria është e qytetarëve”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi”, "Edi Rama o legen, prite popullin se po vjen".
Në protestë janë bashkuar qytetarë të moshave të ndryshme, nga të rinj deri te familje me fëmijë. Organizatorët deklarojnë se shoqërimet dhe arrestimet e disa pjesëmarrësve gjatë ditëve të fundit nuk kanë ndikuar në vijimin e tubimeve, të cilat zhvillohen çdo mbrëmje prej 42 ditësh.
Protesta, e cila nisi fillimisht si kundërshtim ndaj projektit turistik në Zvërnec, tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe asaj që protestuesit e cilësojnë si “klasa e vjetër politike”.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit insistojnë se kërkesat e tyre nuk lidhen më vetëm me një çështje të vetme, por me ndryshimin e sistemit politik në vend.
Sipas tyre, protesta do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesës kryesore: largimin e kryeministrit Edi Rama dhe nisjen e një procesi për ndryshimin e sistemit politik.

Në ditën e 42-të të protestës qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, qytetarë të ndryshëm kanë ndarë shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre për situatën politike në vend.
Para nisjes së marshimit nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, disa protestues shprehën zhgënjimin e tyre me qeverisjen aktuale dhe duke kërkuar ndryshime politike.
Një prej tyre tha se vendi ka humbur drejtimin dhe se institucionet nuk po funksionojnë siç duhet.
“Kryeministri Edi Rama kërkoi timonin, e mori, por humbi drejtimin dhe na ka hedhur në humnerë të gjithëve. Çdo gjë që supozohet të funksionojë sipas rregullave është anashkaluar. Çdo institucion është i korruptuar. Gjithçka është kthyer në fasadë dhe nuk funksionon më”, u shpreh ai.
Gjithashtu, qytetari kritikoi Parlamentin dhe mënyrën se si po trajtohen protestuesit.
“Themelet janë kalbur. Nuk kanë prioritet të shpëtojnë jetë njerëzish. Mendojnë se po sjellin risi në Shqipëri, por ndërkombëtarët nuk shohin vetëm koncertet dhe fasadat. Këtë korrupsion duhet ta luftojmë. Ju na tregoni të vërtetat. Me rininë duhet ta rrëzojmë këtë qeveri patjetër”, u shpreh qytetari.
Ndërkohë, një tjetër protestuese, e cila u shpreh se punon në administratë publike, tha se ka dalë në protestë pavarësisht rrezikut që i sjell kjo situatë për vendin e punës. Ajo deklaroi se e ka votuar tre herë kryeministrin Rama, por sot ndihet e zhgënjyer.
“Rrezikoj shumë që jam këtu, por rreziku më i madh është shpopullimi dhe copëtimi i atdheut. Punën time e konsideroj një rrezik të vogël përballë asaj që po i ndodh vendit”, tha protestuesja.
Ajo shtoi se vendi ka nevojë për ndryshim dhe se ndihet e detyruar të reagojë.
“Për qeverinë Rama kam votuar tre herë dhe jam gati publikisht në shkallët e protestës të ngjitem edhe ta pres dorën, sepse kam shpresuar”, u shpreh qytetarja.
Sipas saj, të gjithë qytetarët duhet të mbrojnë vendin dhe interesat e tyre. “Jam në mbrojtje të çdo milimetri të këtij atdheu. Atdheu të do edhe kur nuk je zogu më i bukur”, deklaroi protestuesja.
Protesta e 42-të vijoi me marshimin e qytetarëve drejt Kryeministrisë, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre politike.

Ka nisur protesta e 42-të në Tiranë, teksa qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit kanë bërë të ditur se kërkesa e tyre mbetet e panegociueshme, ndërsa pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit pritet të zhvillohet një marshim drejt godinës së Kryeministrisë. Aty do të mbajnë fjalime ashtu si çdo mbrëmje dhe më pas do të nisë marshimi në rrugët e Tiranës.
Organizatorët kanë njoftuar se në tubimin e sotëm do të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët prej kohësh kanë mbështetur këtë kauzë.
Një ditë më parë, protestuesit zhvilluan një marshim në disa nga akset kryesore të Tiranës, ku u dëgjuan thirrje dhe slogane kundër qeverisë. Ata brohorisnin: “Qeveri e krimit”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Rama jep dorëheqjen” etj.
Tubimi i sotëm pritet të shoqërohet me masa të shtuara sigurie dhe bllokime të pjesshme të qarkullimit në disa zona të kryeqytetit.
Lini një Përgjigje