
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas mbyllës së procesit të votimit për zgjedhjet lokale.
Në një postim në rrjete sociale, Kurti falenderon qytetarët e Kosovës për çdo votë, ndërsa thekson se ata dëshmuan kulturë demokratike.
Më tej, kryeministri Kurti ndalet tek procesi i numërimit, ndërsa bën thirrje që të ruhen ajo pasi shprehin vullnetin e qytetarëve.
“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi.
Falënderoj të gjithë qytetarët për mbështetjen për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe kandidatët tanë nëpër komuna. Ky besim është forca jonë për të vazhduar me punë e përkushtim përpara.
Por, tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve”, shprehet Kurti.

KQZ e Kosovës ka njoftuar se 791 mijë e 123 votues apo 39.07%, iu drejtuan sot kutive të votimit për të përcaktuar fatin e komunave të tyre për katër vitet e ardhshme në qytetet e Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e orës 19:30, tha se këto janë informacione nga 95% e vendvotimeve .
“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi pranuar nga rreth 95% e Vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 791 mijë e 123 votues apo 39.07%, nga 2 milionë e 25 mijë e 105 votues”, tha ai.
Ai ka thënë se aktualisht në shumë prej vendvotimeve ka filluar numërimi i fletëvotimeve.
“Procesi i votimit ka mbaruar në orën 19:00. Nga komunikimet dhe raportimet nga terreni vlerësojmë se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e procesit”, ka thënë ai.
"Ky është një hap kyç në përmbylljen e ditës së zgjedhjeve dhe zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara me ligj dhe rregulloret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Procesi i numërimit do të zhvillohet në dy etapa: fillimisht do të numërohen votat për kandidatët në zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, ndërsa pas përfundimit të kësaj faze, do të vazhdohet me numërimin e votave për subjektet politike që garuan në zgjedhjet për Kuvendet Komunale", tha ai.
Radoniçi bëri thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht.
"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se nga ora 19:00 ka filluar afati 48 orësh për paraqitje të ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me procesin e votimit të sotëm", tha ai.

Partia Demokratike ka deklaruar se i ka fituar zgjedhjet lokale dhe ndodhet në balotazh në shumicën e komunave.
“Kam kënaqësinë t’ju konfirmoj se PDK është fituese e këtyre zgjedhjeve. PDK ka fituar më së shumti komuna pa balotazh dhe është partia me më së shumti komuna në balotazh”, ka deklaruar Vlora Çitaku në konferencë për media pas mbylljes së votimit.
Ajo po ashtu tha se kandidati i tyre për kryetar Prishtine, Uran Ismaili, është në balotazh ndonëse sondazhet po e nxjerrin të tretin.

Kandidati i PDK-së për Mitrovicën, Arian Tahiri ka shpallur fitoren në zgjedhjet e sotme lokale. Në një postim në Facebook, Tahiri ka ftuar qytetarët të festojnë nga ora 22:00 në Minatori.
“Mitrovicë, faleminderit nga zemra! Sot fituam së bashku!
Së bashku edhe do të festojmë! Ju pres sonte në orën 22:00, në Palestrën Sportive “Minatori””, shkruan ai.
Nedërkohë, simpatizantë të shumtë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë dalë sonte për të festuar para selisë së Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Jugut.
Klan Kosova ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihen simpatizantët duke brohoritur dhe duke lëshuar boritë e veturave.
Bazuar në rezultatet e Exit Poll-it të publikuara nga mediat, komunën e Mitrovicës e fiton Tahiri i PDK-së me 51.12%.
I dyti është renditur Faton Peci i LVV-së me 41.23%. Ndërsa i treti është Gëzim Plakolli i LDK-së me 7.65%.

Qendrat e votimit në Kosovë janë mbyllur. Pjesëmarrja e përgjithshme ishte 32.85% sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kosova ka mbajtur sot zgjedhjet për 38 kryetarët e Komunave dhe 942 anëtarët e Kuvendeve Komunale, ku 2.025.105 votues kanë pasur të drejtë vote.
Numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.
Votuesit kishin për të plotësuar dy fletëvotime: një për kryetarin e komunës dhe një tjetër për kandidatin për kuvendin komunal, duke shënuar numrin e kandidatit dhe subjektin politik me të cilin ai garon.
Të gjitha qendrat e votimeve janë hapur në orën 07:00.
KQZ ka nisur që ditën e djeshme shpërndarjen e materialeve zgjedhore në Qendrat Komunale të Numërimit.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor u angazhuan institucionet si Policia, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Mirëpo, procesi u shoqërua me 8 incidente, por nuk pati të arrestuar.
Ndërkohë misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme.
Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje ishte 93, nga të cilat 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5,419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Procesi zgjedhor zhvillohet për të zgjedhur 38 kryetarët e Komunave dhe 942 anëtarët e Kuvendeve Komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 18:00 kanë votuar 32.64 për qind e votuesve.
Këtu llogaritet pjesëmarrja nga qendrat e votimit dhe nuk përfshihen votimi i personave me nevoja të veçanta dhe me postë.
Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.
Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar ditën e djeshme, më 11 tetor.
Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Vendvotimet u hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore.

Teksa kanë mbetur edhe dy orë nga mbyllja e qendrave të votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.
Kurti tha se sot është dita më e rëndësishme e demokracisë, për t’i dhënë drejtim të mirë komunave dhe të ardhmes së përbashkët.
“Qytetarë të Republikës, kanë mbetur më pak se dy orë nga e drejta jonë për të vendosur për të ardhmen e komunave.
Në çdo qytet, në çdo fshat e në çdo lagje, gjithandej nëpër komuna, thirrni familjarët, miqtë dhe të afërmit që të dalim sa më shumë për të votuar. Ta shfrytëzojmë këtë ditë të rëndësishme të demokracisë për t’i dhënë drejtim të mirë komunave tona dhe të ardhmes sonë të përbashkët.
Nga Prizreni në Mitrovicë, nga Gjakova në Gjilan, nga Peja në Ferizaj, e deri në kryeqytetin tonë, Prishtinë, ashtu që të ndihet fuqia juaj në mbarë Republikën”, u shpreh Kurti në rrjetet sociale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se deri në orën 17:00, pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet lokale ka arritur në 32.30%.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, komuna me daljen më të lartë deri në këtë orë është Mamusha, ku kanë votuar 64.61% e qytetarëve të regjistruar.
Ndërkohë, pjesëmarrja më e ulët është shënuar në Skenderaj, me vetëm 23.61% të votuesve që kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor deri në këtë moment.
Procesi i votimit vijon pa ndërprerje në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa kutitë e votimit pritet të mbyllen në orët e mbrëmjes, sipas orarit të parashikuar.

Zëdhënësi dhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.
Lidhur me procesin, ai theksoi se duke u bazuar tek shifrat, deri më tani procesi është i rregullt dhe demokratik. Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që kanë të drejtë votimi, të drejtohen drejt kutive para orës 19:00.
“Shfrytëzoj edhe mundësinë që të ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që ende nuk kanë votuar që ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë sidomos para orës 19:00, kur edhe mbyllen qendrat e votimit. Për rezultatet nuk mund të flas tani, për parregullsi përjashto disa raste të vogla nuk kemi informacion për parregullsi të mëdha.
Qytetarët e Kosovës kanë treguar një vetëdije të lartë, demokratike e kushtetuese duke marrë pjesë edhe në numër të lakmueshëm në këto zgjedhje por edhe duke ndjekur një proces të mirëfilltë zgjedhor. I ftoj të shkojnë para afatit kohor 19:00 të mbrëmjes”, u shpreh Besian Mustafa.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, ka qëndruar në qendra votimi në Mitrovicë të Veriut dhe në Prishtinë për të parë nga afër procesin zgjedhor.
Ngjashëm ka vepruar edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, që ka qëndruar në qendra votimi në dy komuna në veri: Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.
Orav tha përmes një postimi në X se së bashku me shtetet anëtare të misionit ndërkombëtar që po vëzhgon zgjedhjet, shikoi nga afër se si po ecën procesi.
Ndërkaq, ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se 12 tetori është ditë e rëndësishme për demokracinë në Kosovë.
“Është shumë mirë që shoh njerëz që po marrin pjesë në këto zgjedhje shumë të rëndësishme lokale për Kosovën”, tha ambasadori Hargreaves, duke shtuar se gjatë ditës do të vizitojë edhe qendra të tjera votimi në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkuar sot në Slloveni, ku do të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Osmani është e ftuar speciale në këtë sesion nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello.
Gjatë vizitës njëditore në Slloveni, Presidentja Osmani do të zhvillojë një takim bilateral me Presidenten e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në Lubjanë, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar për nder të sesionit të Asamblesë Parlamentare nga Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič.
Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime të tjera gjatë këtij sesioni të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në konferencën e radhës ka bërë të ditur se pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit deri në orën 15:00 është 25,21%.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se procesi po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
“Sipas të dhënave që kemi marrë nga rreth 94% të vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 510, 525 votues apo 25,21% nga 2 milionë e 25 mijë e 105 votues", njoftoi Radoniqi.

Një përplasje fizike ka ndodhur afër shkollës “Xheladin Gashi”, që sot shërben si qendër votimi, në Komoran të Drenasit. Sherri agravoi në përdorimin e armës së zjarrit, por nuk raportohet për persona të lënduar.
Ndërsa një automjet është dëmtuar, siç raportojnë mediat e Kosovës, jo nga të shtënat me armë, por nga goditja me çekiç në xhamin e përparmë.
Ndërkohë, policia ka mohuar që ngjarja të ketë lidhje me zgjedhjet, por ka ndodhur për shkak të një konflikti të mëhershëm mes palëve të përfshira.

Tri raste të dyshuara të fotografimit të votës, po trajtohen nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë në rajonin e Prishtinës.
Këtë e ka konfirmuar për RTK, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahemti që tha se kanë pranuar tri informata një rast në Podujevë, një në Drenas dhe një në Prishtinë.
“Deri tani në rajonin e Prishtinës kemi pranuar tri informata. Një në Podujevë, një në Drenas dhe një në Prishtinë, ku dyshohet se janë fotografuar fletëvotimet. Informacionet po trajtohen në koordinim me prokurorinë”, ka thënë Ahmeti.
Fotografimi i votës është vepër penale, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar shifrat nga procesi i votimit, i cili deri në orën 13:00, kanë votuar 16.11% e qytetarëve.
Sot Kosova po mban zgjedhjet për të gjitha komunat e territorit.
Ndryshe e përkthyer në shifra, 326 mijë e 240 votues kanë dhënë votën e tyre për zgjedhjet e lokale në 38 komuna të Kosovës.
Ndërkohë, numri i votuesve në Listën e Votuesve sipas KQZ-së është 2,025,105 votues.
Nga 38 komunat e Kosovës, vetëm në gjashtë prej tyre nuk është ndërruar partia fituese qysh nga zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në Deçan ka fituar gjithnjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; në Drenas e Kaçanik, Partia Demokratike e Kosovës; në Istog e Fushë Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës; dhe, në Mamushë, Partia Demokratike Turke e Kosovës.
Presidenti serb sulmon shqiptarët pas fitores së Shqipërisë në futboll dhe kërkon rikthimin e kontrollit serb në komunat në veri të Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi sot se “shqiptarët janë shumë nervozë” për shkak të daljes më të madhe të serbëve në votime në komunat me shumicë serbe në Kosovë, ku sot po mbahen zgjedhje lokale.
“Në të gjitha zonat serbe, deri në orën 10 të mëngjesit, pjesëmarrja ishte më e lartë se në zonat shqiptare,” – u shpreh Vuçiç para gazetarëve në Beograd.
“Shpresoj që Lista Serbe të fitojë dhe që një pjesë e pushtetit të mund të kthehet në duart tona,” shtoi ai.
Sipas tij, shqiptarët, që nga Tirana, Prishtina e deri në Preshevë e Bujanoc, janë “të ekzaltuar” nga fitorja e mbrëmshme e kombëtares së Shqipërisë ndaj Serbisë në një ndeshje futbolli në Leskovc.
“Do të doja që sonte të kemi një festë edhe më të rëndësishme në komunat serbe në Kosovë dhe Metohi sesa ajo e djeshmja. Ashtu siç ata festuan nën flamurin shqiptar, kështu të festojmë edhe ne për diçka më të rëndësishme sesa “goditja e topit,” – përfundoi Vuçiç.
Provokim retorik për tension etnik
Deklarata e Vuçiçit është një përpjekje e qartë për të krijuar tension midis komuniteteve etnike në Kosovë, në një kohë kur stabiliteti është i brishtë dhe proceset demokratike janë në fokus të komunitetit ndërkombëtar.
Sporti si armë politike
Duke krahasuar një fitore sportive me një “fitore elektorale” të mundshme të serbëve në veri të Kosovës, Vuçiç përpiqet ta minimizojë emocionin kombëtar shqiptar, ndërkohë që e ngre në piedestal pjesëmarrjen e serbëve si “fitore kombëtare”. Ky është një manipulim klasik nacionalist.
Mesazh për Perëndimin
Vuçiç përdor këtë gjuhë për t’i dërguar sinjal BE-së dhe SHBA-së se “serbët janë të organizuar dhe të mobilizuar” dhe se kontrolli mbi komunat veriore është ende çështje e hapur për Serbinë. Kjo është pjesë e strategjisë së tij për të ushtruar presion diplomatik ndaj Kosovës në dialogun e Brukselit.
Ofensivë politike pas disfatave ndërkombëtare
Pas humbjeve të shumta në planin diplomatik, si dështimi i “Asociacionit” apo përplasjet me BE-në dhe SHBA-në për dinamikat e Ballkanit, Vuçiç kërkon të tregojë fuqi në terren. Ai kërkon të shesë një “fitore elektorale” në Kosovë si sukses personal politik.
Deklarata e Vuçiçit përfaqëson më shumë se një mendim i nxituar: është një strategji e mirëmenduar për të mbajtur tensionin të gjallë dhe për të ushqyer nacionalizmin si mjet për mobilizim elektoral dhe diplomatik./Pamfleti
Lini një Përgjigje