Një person është ndjerë keq pas gazit lotsjellës që u hodh nga policia ndaj protestuesve të opozitës para Kryeministrisë.
Menjëherë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka arritur ambulanca dhe e ka marrë.
Menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, situata para Kryeministrisë u tensionua, teksa një grup protestuesish hodhën bomba molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Policia ndërhyri menjëherë për t'i shpërndarë me gaz lotsjellës.

Pas Kryeministrisë protesta e opozitës është zhvendosur para Kuvendit.
Qytetarët kanë filluar të grumbullohen aty dhe bashkë me ta dhe forcat e policisë.
Me qindra forca policore dhe autobote uji po zhvendosen te godina parlamentare. Duhet theksuar se te Kryeministra pati sulme të shumta me mjete molotov. Edhe te Kuvendi kanë nisur tensionet e para.

Pas molotovëve dhe fishekzjarreve në fund të fjalimit të kreut të opozitës, Sali Berisha, protesta është zhvendosur drejt Kuvendit. Drejtuesit e protestës me anë të mikrofonit u bënë thirrje protestuesve që të spostohen para Parlamentit.
'Të gjithë bashkë tek Kuvendi i narkosit’, u dëgjua të thuhej nga mikrofoni i vendosur në podiumin e protestës.
Teksa Berisha u nis me makinë, protestuesit po zhvendosn në këmbë drejt Kuvendit për të protestuar edhe atje. Vlen të theksohet se pavarësisht thirrjes së drejtuesve të PD-së për t'u spostuar para Parlamentit, vetëm një pjesë e tyre janë vendosur para Kuvendit, pjesa tjetër është shpërndarë.

Situata është përshkallëzuar para Kryeministrisë gjatë protestës së opozitës, ku janë regjistruar tensione të forta dhe përplasje me policinë. Sipas informacioneve nga terreni, protestues kanë hedhur molotovë në drejtim të perimetrit të sigurisë, duke shkaktuar tym dhe flakë pranë godinës qeveritare.
Pamjet nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” tregojnë momentet e kaosit, ku tymi ka mbuluar zonën dhe flakët janë shfaqur në pjesë të ndryshme të Godinës, ndërsa protestuesit kanë shtuar presionin drejt kordonit policor.
Policia ka reaguar duke shpërndarë turmën me gaz lotsjellës dhe me ndërhyrjen e automjeteve të blinduara me ujë me presion. Forcat e rendit kanë vepruar për të krijuar distancë dhe për të mos lejuar thyerjen e rrethimit të Kryeministrisë.
Sali Berisha e ngriti tonin në protestën kombëtare të opozitës para Kryeministrisë, duke e cilësuar qeverisjen e Edi Ramës si “diktaturë” dhe duke thënë se shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se kjo nuk largohet me votë, por vetëm me revoltë popullore.
Kreu i PD e akuzoi Ramën se drejton një organizatë kriminale dhe se ka kthyer Shqipërinë në narkoshtet. Në fjalën e tij, Berisha hodhi akuza edhe për kapjen e drejtësisë, duke thënë se Rama e ka bllokuar atë për të shpëtuar veten dhe familjarët.
Berisha: Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se diktatura nuk ikën me votë, por ato ikin, shemben me revoltë dhe vetëm me revoltë popullore. Ja ku jemi ne sot. Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Edi Rama kryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë. Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Ramaduro është kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Sot, shumica e shqiptarëve kanë të qartë se Palloshi i Lubisë është pengu i saj. Sot, shumica e shqiptarëve kanë të qartë se Gusagasi është Rama i errësirës dhe se Mirlinda e AKSHI-t është si motër siameze e Lindës së Surrelit. Sot, shumica e shqiptarëve po e kuptojnë dhe se Rama ka bllokuar drejtësinë për të mbrojtur veten, familjarët e tij, pasi ka vjedhur jo miliona por miliarda. Sot, shumica e shqiptarëve e ka të qartë.

Protestuesit kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë ndaj Kryeministrisë
Tensionohet situata në protestën e opozitës para Kryeministrisë. Protestuesit kanë sulmuar me molotovë dhe fishekzjarrë godinën, duke i vënë flakën, menjëherë pasi Sali Berisha mbylli fjalën.
Veprimi u krye në shenjë revolte ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Policia ka ndërhyrë menjëherë me autobotë për të shuar flakët. Po ashtu ka shpërndarë turmën me gaz lotsjellës.
Protestuesit i drejtohen Kuvendit.

Skenar ky i përsëritur, pasi edhe në protestën e 22 dhjetorit, u hodhën molotovë drejt Kryeministrisë.

Nga shpërthimi i molotovit 2 efektivë lënduan dhe një simpatizant i opozitës u përfshi nga flakët e lëndës ndezëse.
Ndërsa duhet theksuar se protesta e sotme pati një pjesëmarrje masive. Berisha dhe deputetët demokratë kanë paralajmëruar se nuk do heqin dorë nga tubimet deri në largimin e Edi Ramës nga qeveria.
Në podiumin e protestës para Kryeministrisë, ka nisur fjalimin kreu i PD Sali Berisha. Me ton të vendosur, Berisha tha se opozita ndodhet në "kilometrin e fundit" të betejës kundër qeverisë Rama dhe paralajmëroi se "asgjë nuk do ta ndalë fitoren që po vjen".
Ai akuzoi mediat e kontrolluara nga qeveria se janë përpjekur ta fshehin protestën e kaluar dhe ta kalojnë në heshtje mobilizimin e qytetarëve.
“Të tmerruar nga protesta jonë e kaluar, mediat e qeverisë bënë gjithçka ta vendosin në harresë. Mesazhi im është ky: Sot ne jemi në kilometrin e fundit. Me ndihmën e Zotit, asgjë s'do të na ndalë drejt fitores sonë. Sot ne jemi para triumfit të madh. Shumëkujt, triumfi mund t'i duket ende larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku ka qenë padyshim maratonë jo e lehtë. Thuaj, një kalvar maratonë", tha Berisha.
Aktorja Juli Emiri në fjalën e saj në protestën e opozitës ka sjellë një paralelizëm me rrëzimin e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.
Duke iu referuar ngjarjeve të viteve 1990–1991, Emiri rikujtoi protestat që çuan në rrëzimin e diktaturës komuniste, duke theksuar se liria nuk u fitua përmes debatit televiziv apo analizave.
Ajo vuri në dyshim përfaqësimin e zërit qytetar dhe bëri thirrje për reflektim, duke krahasuar situatën aktuale me atë të fillimviteve ’90.
“Po në këtë shesh, në këtë Shqipëri, në një qytet ziente nga zhurmat, derisa arritën pikën e vëlimit më 20 shkurt. E mbani mend si keni qenë, cfarë i thoshit njëri tjetrit. Ju keni qenë me fytyra të lodhura, të vrara, të veshur të gjithë njëlloj, ishit të gjithë njerëz që kërkoni lirinë. Ato ditë ju nuk e mendonit se do quheshit heronj, që do shkruanit historinë. Unë sot dua tju bëj një pyetje: Po turp nuk ju vjen? Po rrëzohet kështu diktatura? Si na e rrëzuat me kaq zhurmë diktaturën me kaq zhurmë, më vrap si idiotë, duke dalë në shesh?! Si u rrëzoka kështu diktatura. Shkon rrobi, merr një doktoraturë, diplomohet, vesh kollare e kostum, ulet në një studio televizive, hap një program televiziv, jep mendim, mbledh analistët që të diskutojnë hajde si ta rrëzojmë diktaturën. Që të flasin në emër të popullit, do thoni ju populli jemi ne. Jo nuk dini gjë ju, e dinë ata së cfarë do populli. Populli nuk frymëzohet. Ore si e gjetët frymëzimin në vitet 90-91. Na i thoni t’ia gjejmë frymëzimin dhe t’ja japim frymëzimin tja japim këtyre sot që nuk na frymëzohen me çfarë ndodhin vjedhje dhe vrasje”, tha aktorja.
Pavarësisht se e përjashtuan nga partia, ish-deputeti Ervin Salianji është bërë pjesë e protestës kombëtare të PD-së. Ndonëse nuk ishte pjesë e folësve në protestë, Salianji në një intervistë për mediat u shpreh se çdo qytetar duhet të protestojë kundër qeverisë së Edi Ramës, pasi është një qeveri e kalbëzuar që punon për interesat e vetëm një grushti njerëzish.
“Çdo qytetar duhet të protestojë kundër qeverisë së Edi Ramës, pasi është një qeveri e kalbëzuar, që ka shkretuar Shqipërinë dhe punon për interesat e vetëm një grushti njerëzish. Për këto arsye, nuk përbën lajm prania ime në protestë. Jam paksa larg podiumit pasi kam zgjedhur të bisedoj me demokratët dhe të ndaj qëndrime të ndryshme. Nuk jam pjesë e organizimit të protestës, për këtë arsye jam mes protestuesve”, sqaroi Salianji.
Kur u pyet se çfarë po ndodh mes tij dhe PD-së, Salianji tha se nuk tërhiqet nga deklaratat e tij.
“Unë i qëndroj të gjitha atyre që kam thënë. Nuk kam pasur aktivitet këtë javë për të respektuar protestën e opozitarëve. Do të vazhdoj këtë javë të njëjtën formë të organizimit të demokratëve. Pakënaqësia e qytetarëve ndaj Ramës është masive dhe ne duhet të ecim me kohën dhe me atë që pret shoqëria”, përfundoi ai.
Protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike vijon në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, me pjesëmarrje të madhe qytetare dhe praninë e figurave publike që po i japin më shumë peshë dhe simbolikë politike tubimit. Nën masa të rrepta sigurie, qytetarët po shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Përveç protestuesve të zakonshëm, në shesh janë të pranishëm edhe figura që përfaqësojnë zëra të fortë në jetën publike dhe politike. Aktori Florjan Binaj, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj qeverisë dhe për angazhimin qytetar në mbrojtje të çështjeve publike, është parë mes turmës, duke dhënë një mesazh të qartë për solidaritet dhe mobilizim qytetar kundër padrejtësive.
Një tjetër prani e rëndësishme është ajo e deputetit Ervin Salianji, i cili ka ndërmarrë së fundmi një lëvizje të brendshme në PD, duke kërkuar reformimin e partisë dhe një qasje më të hapur me shoqërinë. Krah tij është shfaqur edhe Ilir Vrenozi, një prej figurave më të njohura dhe të zëshme të bazës së djathtë, i cili gëzon mbështetje të gjerë për shkak të qëndrimeve të tij të palëkundura opozitare.

Protesta deri tani po zhvillohet pa incidente, ndërkohë që në terren ndodhen 1350 efektivë të Policisë së Shtetit. Organizatorët theksojnë se protesta nuk është thjesht një akt simbolik, por një hap i parë drejt një përballjeje të re politike, brenda dhe jashtë opozitës.
Prej disa minutash ka nisur protesta kombëtare e Partisë Demokratike.
Me pankarta në duar demokratët kanë zgjedhur shprehje që pasqyrojnë kërkesat e tyre ndërsa kanë renditur edhe skandalet e qeverisë “Rama”
Mirëpo një protestues, ka zgjedhur që mesazhet t’i përcjellë ndryshe.
I veshur me një veshje plotësisht të bardhë, ai ua ka lënë vëmendjen mbishkrimeve mbi të.
“Vllazën, demokracia në rrezik. Ta shpëtojmë”, shkruhet në pjesën e pasme të bluzës. Te pantallonat, ai shkruan: “Poshtë diktatura”, duke ndarë dy fjalët në secilën këmbë. Në kokë mban një plis me një shall të zi.
Protesta e sotme e Opozitës u hap nga fjalimi i nënkryetarit të PD-së, Luçiano Boçi i cili deklaroi se sonte nuk janë mbledhur thjeshtë për paradë, por për t’i dërguar një mesazh qeverisë së korruptuar të Edi Ramës.
Boçi theksoi se Shqipëria nuk mund të qeveriset më nga Edi Rama, i cili sipas tij, e ka kthyer shtetin në një pronë private. Teksa renditi aferat e njëpasnjëshme të qeverisë, Boçi tha se do ta dërgojnë detyrën e tyre deri në fund.
“Në jemi këtu sepse ne vlerësojmë jetën, na ka thirrur dashuria e familjes dhe adhurimi për zotin e kombin. Ne jemi këtu se na ka thirrur dinjiteti ynë, rezistenca, shpirti dhe zemra opozitare dhe ndërgjegja qytetare. Jemi këtu nga guximi dhe detyra jonë për të luftuar deri në fund. Sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin që të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe të bandave të krimit, në klub të mbyllur qejfi e ahengu dhe që tallet cdo ditë me fatet e shqiptarëve.
Kjo ndërtesa që keni në krah nuk është kryeministria, por kuplaraja e pushtetit. Duhet ta shembim këtë pushtet, nuk është vendi i qeverisë, por i hajnisë, qenërisë që kafshon paratë dhe pasuritë e shqiptarëve. Këtu vjedhja ka emër e shifra, inceneratorët 430 mln, koncesionet 500 mln dhe marrin rrugën e rrugëve, tuneleve, unazave dhe aeroporteve vërtiten miliarda. Ka emër, fillon me Beqaj, Bllakon, vazhdon me Veliaj e Benetin dhe Ballukun, Agasin e Tërmetin. Nuk mbaron as me AKSHI as dhe Smart City”, tha ai.
Ka nisur protesta kombëtare e PD përpara Kryeministrisë.
Me pankarta në duar demokratët kanë zgjedhur shprehje që pasqyrojnë kërkesat e tyre ndërsa kanë renditur edhe skandalet e qeverisë “Rama”
“Ask where EU fonds go”, “Edi stop stealing our Money”, “Kë të telefonojmë kur na merr peng policia?”, “Ikur: 1.1 mln euro vite:12 vite”, thuhej në disa prej pankartave.

Pamjet nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” flasin vetë: një det njerëzish është grumbulluar përpara Kryeministrisë në protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike. Qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe rrethet i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës për të dalë në shesh dhe për të kërkuar largimin e qeverisë Rama, në atë që opozita e cilëson si “ndëshkimin qytetar ndaj pushtetit të kapur nga korrupsioni dhe krimi”.

Në qendër të akuzave të opozitës qëndron zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, tashmë e marrë e pandehur nga drejtësia për afera të rënda korruptive. Megjithatë, Balluku vijon të mbrohet politikisht nga Edi Rama dhe të qëndrojë në detyrë, ndërkohë që, sipas opozitës, po shkatërrohen provat e hetimeve dhe manipulohen procedurat. “Qeveri që mbron të pandehurit nuk ka më të drejtë të qeverisë asnjë ditë”, ka deklaruar Berisha në fjalimin e tij para turmës.

Atmosfera në bulevard është e ngarkuar; thirrje kundër Ramës, pankarta që kërkojnë drejtësi dhe një protestë që po merr përmasat më të mëdha të viteve të fundit. Policia ndodhet në gatishmëri me 1350 efektivë të vendosur në perimetrin e Kryeministrisë. Deri më tani, protesta po zhvillohet pa incidente, por tensioni është i ndjeshëm.


Pak çaste më parë, kreu i PD-së, Sali Berisha, u nis nga selia blu dhe iu bashkua protestuesve në shesh
Ka nisur zyrtarisht protesta kombëtare e Partisë Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Turma e mbështetësve opozitarë është shtuar ndjeshëm në minutat e fundit, ndërsa vetëm pak çaste më parë, kreu i PD-së, Sali Berisha, u nis nga selia blu dhe iu bashkua protestuesve në shesh. Ai u prit me brohoritje dhe flamuj në duar, teksa mbante parullën kryesore të protestës: “Rama ik!”
Tubimi është i pari për vitin 2026 dhe vjen pas protestës së fundit më 22 dhjetor. Opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe ngritjen e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Berisha e ka quajtur këtë ditë si “gjyqi qytetar ndaj kryehajdutit”, duke i bërë thirrje popullit të ngrihet kundër, sipas tij, “një regjimi të korruptuar dhe të lidhur me krimin”.
Përballë Kryeministrisë është vendosur një kordon i dendur policor. Janë mobilizuar 1350 efektivë të Policisë së Shtetit, FNSH-së dhe Shqiponjave. Forcat janë të pajisura me maska kundragaz dhe janë vendosur në gatishmëri autobotët me ujë, në rast të ndonjë përshkallëzimi të situatës. Policia ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga individët që mund të provokojnë incidente.
Paralajmërimi për rrezik trazirash ka ardhur edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë të shmangin zonën midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza. “Edhe protestat që nisin në mënyrë paqësore mund të përshkallëzohen papritur”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Kreu i opozitës, Sali Berisha ka dalë nga selia e PD-së dhe së bashku me mbështetësit që e prisnin jashtë janë nisur drejt Kryeministrisë. Si në çdo protestë tjetër kombëtare, Berisha së bashku me mbështetësit e tij e përshkuajn në këmbë, rrugën nga Selia e PD-së,deri te godina e Kryeministrisë.
Me mbërritjen e Berishës, do të nisin fjalimet e opozitës të cilat do të kulmojnë me fjalën e Berishës. Ndërkohë që për shkak të informacioneve për dhunë në këtë tubim, një numëri i madh forcash policie janë aktivizuar për të menaxhuar protestën.
Forcat e Policisë kanë krijuar një kordon sigurie para Kryeministrisë dhe përreth saj, ndërkohë që më herët janë blinduar dyert dhe dritaret e godinës.
Pritet nga momenti në moment nisja e protestës...
Ka nisur grumbullimi i militantëve të Partisë Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ndërsa vetëm pak minuta na ndajnë nga nisja zyrtare e protestës së thirrur nga Sali Berisha. Kjo është protesta e parë kombëtare për vitin 2026 dhe shënon një rikthim të opozitës në rrugë me kërkesa të qarta: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij Belinda Balluku, si dhe krijimi i një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.
Policia ka ngritur tashmë kordonin e parë përpara godinës qeveritare, me efektivë të pozicionuar në një rresht të vetëm. Në total janë mobilizuar 1350 forca policore, përfshirë njësi të FNSH-së, Shqiponjat dhe autobotët me ujë, të pajisur me maska kundragaz. Në plan është edhe ndërhyrja në rast incidentesh, ndërsa policia u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo akt që cenon rendin publik.
Thirrja për protestë vjen pas tubimit të fundit të 22 dhjetorit dhe foltoreve javore të opozitës para Kryeministrisë. Sali Berisha e ka cilësuar këtë si një “gjyq popullor ndaj kryehajdutit të Shqipërisë” dhe ka thënë se është dita për të rikthyer shpresën dhe lirinë. “Populli opozitar do të ngrejë zërin kundër një qeverie të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Tiranë ka paralajmëruar shtetasit e saj të shmangin zonën ku zhvillohet protesta dhe të jenë vigjilentë, duke ngritur alarmin për mundësi trazirash. U theksua se edhe protestat që nisin në mënyrë paqësore mund të përshkallëzohen papritur. Personelit të ambasadës u është kërkuar të shmangin zonën midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza gjatë gjithë kohës së tubimit.
Pak para nisjes së protestës kombëtare të thirrur nga PD, Sali Berisha ka mbërritur në selinë blu.
Ai është pritur aty në mënyrë entuziaste nga qindra simpatizantë duke i shprehur mbështetjen për protestën e pritshme.
Opozita ka organizuar sot protestën kombëtare para kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës.
PD proteston për rrëzimin e qeverisë, policia nxjerr mbi 1300 efektivë...
Partia Demokratike rikthehet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” këtë të shtunë, duke organizuar protestën e parë kombëtare për vitin 2026, me thirrje të forta për largimin e Edi Ramës.
Tubimi nis në orën 17:00 dhe shihet si një “provë force” nga opozita, pas protestës së fundit më 22 dhjetor 2025 dhe foltoreve të përjavshme para Kryeministrisë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka mobilizuar strukturat dhe qytetarët duke e cilësuar këtë protestë si “ditën e gjyqit qytetar” ndaj qeverisë së korruptuar dhe të lidhur me botën e krimit. “Sot është dita kur populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit, kryeministrit të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës. Sot është dita e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë”, deklaroi Berisha në mesazhin e tij për qytetarët.
Sipas tij, vetëm një qeveri teknike mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj kërkesa kryesore e protestës është rrëzimi i qeverisë aktuale dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme.
Nga ana tjetër, strukturat e Policisë së Shtetit janë vënë në alarm. Rreth 1350 forca policore janë angazhuar për të menaxhuar protestën, përfshirë repartet e FNSH-së, Shqiponjat dhe njësitë e rendit publik. Policia ka paralajmëruar për rrezikshmëri të lartë dhe mundësi për përplasje gjatë tubimit. Efektivët janë pajisur me maska kundërgaz, ndërsa janë vendosur në gatishmëri edhe pesë autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës në rast incidentesh. “I bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që cenon rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në deklaratën zyrtare të policisë.
Alarmin për tensione e ka ngritur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila i ka bërë thirrje shtetasve amerikanë të shmangin zonën e protestës dhe të ndjekin me kujdes zhvillimet. “Protestat mund të fillojnë në mënyrë paqësore, por situata mund të përshkallëzohet papritur. Qëndroni vigjilentë dhe jepni përparësi sigurisë tuaj personale”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ambasadës. Po ashtu, personelit të ambasadës i është kërkuar të shmangë zonën nga Sheshi Skënderbej deri tek Sheshi Nënë Tereza, pranë godinës së Kryeministrisë, ku do të zhvillohet protesta.
PD shpreson që protesta e sotme të jetë një sinjal i fortë për ndërkombëtarët dhe vendimarrësit politikë në vend, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo lëvizje do të sjellë efekt real në jetën politike të vendit, apo do të mbetet një tjetër akt simbolik në përballjen e gjatë opozitë-qeveri. /Pamfleti
Për sa kohë PPD është tarafi i Salehut, asgjë nuk do të ndryshojë. Fatkeqësisht!