
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se deri më tani 21 parti politike kanë paraqitur kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në një konferencë shtypi lidhur me përgatitjet e zgjedhjeve të 14 majit, ai paralajmëroi edhe kryebashkiakët, që të mbajnë larg përurimit të punimeve ministra e deputetë.
“Për disa prej tyre jemi në proces verifikimi, në lidhje me këtë që ju thoni. Qoftë kryetarët e bashkive apo funksionarët e tjerë publikë janë të lirë të ushtrojnë kompetencat e tyre, por është e dënueshme nëse këto aktivitete i kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, deputetëve apo funksionarëve të tjerë politikë. Nëse shkojnë për punë, nuk ka asnjë arsye, nuk mund të shkojnë me deputetë apo funksionarë publikë”, tha ai.
Sipas Celibashit, vetëm 21 parti kanë shfaqur interes deri më tani, ndërkohë që mësohet se partitë e mëdha nuk janë regjistruar ende. Afati është 6 marsi dhe sytë janë në fakt te PD. “21 bashki nuk kanë sjellë asnjë informacion në KQZ në lidhje me procesin e njoftimit me shkrim të çdo zgjedhësi. Në lidhje me kërkesat e partive për tu regjistruar, deri tani kanë paraqitur kërkesën për këto zgjedhje 21 parti politike dhe një komitet nismëtar për një kandidat të mbështetur nga zgjedhësit”, tha ai.
Më 3 mars Apeli do të vendosë se kujt i takon vula në PD dhe nga aty duket se do të varet dhe pjesëmarrja në zgjedhje e Alibeajt, Sali Berishës dhe Ilir Metës. PL ende nuk është regjistruar dhe si duket është duke pritur vendimin e Apelit, pasi nëse nuk ka vendim ose nëse gjykata vendos në favor të Alibeajt, atëherë Berisha duhet të futet në zgjedhje nën logon e PL. Vetë ky i fundit ka paralajmëruar se nuk do e bëjë diçka të tillë se vula i takoan atij, por duket se dy rrugë ka: Ose bojkot, ose të fshihet nën logon e PL.
Lini një Përgjigje