Partia Demokratike lindi si shpresë për pluralizëm; sot e drejton i vetmi që s’e krijoi, por i “eleminoi” të gjithë...
Sot shënohen plot 35 vite nga themelimi i Partisë Demokratike, forca e parë opozitare në Shqipëri pas rënies së diktaturës. E shpallur më 12 dhjetor 1990, vetëm katër ditë pas lëvizjes studentore të 8 dhjetorit, PD nisi si një lëvizje popullore me 338 themelues dhe firmëtarë, të cilët kishin një mision të qartë: t’i jepnin fund një regjimi monist dhe të sillnin demokracinë.
Por 35 vite më vonë, pyetja që duhet bërë është: ku janë sot ata 338 njerëz që nënshkruan lindjen e PD-së? Përgjigjja është tronditëse, asnjë prej tyre nuk është më pjesë e drejtimit të kësaj partie. Vetëm një emër ka mbetur: Sali Berisha.
Ishte Azem Hajdari që doli i pari para turmës, dhe në momentin historik të shpalljes së partisë, ai ishte emri që u përmend si kryetar. Por Sali Berisha, që në ato ditë nuk ishte as themelues dhe as zgjedhje e bazës, rrëmbeu mikrofonin dhe vëmendjen, duke e vendosur veten në qendër të skenës politike, një protagonizëm që e mbajti me çdo kusht për dekada.
Në muajt që pasuan, Berisha mori nën kontroll partinë dhe gradualisht eliminoi politikisht të gjithë themeluesit, një nga një: Nga Abdi Baleta, Petrit Kalakulla, Ridvan Peshkopia apo Uran Butka, te Tomor Dosti, Tomor Malasi, Azem Hajdari, Zenel Hoxha apo Aleksandër Meksi.
Lista është e gjatë. Në fakt, është dokumenti zyrtar me 338 firmëtarët e PD-së ai që dëshmon më mirë se çdo koment: asnjë prej tyre nuk ka më as vend në kryesi, as në Kuvend, dhe për shumicën, asnjë lidhje më me PD-në.
Pak më parë, në selinë e PD u mbajt një ceremoni përkujtimore për themelimin e PD, por aty ishin 3-4 emra që firmosën më 12 dhjetor 1990. I vetmi që “mbretëron” është Sali Berisha. /Pamfleti




Lini një Përgjigje