
Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi tha se ndryshimet ligjore për koncesionet dhe PPP-të si dhe paqja fiskale që po kalon mazhoranca është vetëm një “dhurate e paketuar bukur për Vitin e Ri” për klientët e qeverisë dhe mbrojtje e të korruptuarve.
Ai akuzoi socialistët se kanë abuzuar me aferat në çdo koncesion dhe PPP, madje së fundmi edhe duke futur duart te taksat e shqiptarëve për të falur milionat e borxheve të klientëve të mazhorancës.
“Ndryshimet në projektligjin e koncesioneve i ngjan atyre dhuratave të paketuara bukur që jepen për Vit të Ri, që jepen jo për qytetarët, por për klientët e qeverisë. Në realitet ky ligj nuk e nxit ekonominë, e frenon. Nuk i shërben qytetarëve, ata janë disa sponsor të qeverisë. Rrit borxhin e fshehur të ekonomisë shqiptare, edhe pse ju përdorni fjalë të bukura. Mjafton t’ju përmendësh juve koncesione dhe PPP-të dhe direkt shkon mendja te inceneratorët korruptivë, rrugët korruptive, porti korruptiv, te Porto Romano korruptiv dhe çdo gjë korruptive këtu te ne”, u shpreh Boçi në Kuvend.
Deputeti kujtoi se këto abuzime të shumta tashmë janë hetuar dhe po hetohen nga SPAK, ku shumë nga zyrtarët e nivelit të dytë janë përballë drejtësisë.
Ai denoncoi qeverinë se në vitin 2013 arrestonte qytetarët për energjinë elektrike, duke i detyruar edhe në vetëvrasje, kurse sot me një të rënë të lapsit fal miliarda borxhe për klientë dhe qëllime elektorale.
“Këtë fakt e dëshmon edhe SPAK që ka nën hetim shumicën e aferave dhe koncesioneve korruptive dhe ka nën hetim e përgjegjësi penale shumë nga përfaqësuesit tuaj për këto afera, të nivelit të dytë sepse Rama ka shpëtuar tashmë. Nuk dua të merrem as me paqen tuaj fiskale, se kur erdhët më 2013 në pushtet iu turrët qytetarëve dhe i burgosët, i dërguat deri në vetëvrasje, pse e bëtë këtë? I akuzuat për vjedhje, kishin vjedhur energji elektrike për t’u ngrohur dhe që fëmijët e tyre të kishin një llampë për të lexuar”, shoi ai.
Duke krahasuar edhe ligjin italian të paqes fiskale që bëri qeveria “Meloni” dhe po e kopjon qeveria “Rama” aktualisht, Boçi ironizoi mazhorancën, duke u kujtuar se vendi fqinj nuk fali milionat e krimit dhe korrupsionit.
“Sot na vini me një ligj për të falur dhe pastruar miliarda lekë e miliona euro të vjedhura nga paratë e shqiptarëve, para të trafiqeve dhe të korrupsioneve, trafikut, prostitucionit, korrupsioni i qeveritarëve tuaj. Këtë ligj të paqes fiskale e keni bërë sipas atij italian. Nëse e krahasojmë këtë me atë italiane, kjo paqe fiskale nuk ka asnjë lidhje me atë, asnjë lidhje. Kur e bëri Meloni më 2023 u fshinë vetëm borxhet e vogla 1-2 mijë euro dhe jo të mëdhatë. U falën interesat dhe kamatvonesat, nuk pati tatim zero. Kjo është paqe fiskale. Nuk legalizoi drogë siç bënë kjo paqe fiskale jona, nuk fal borxhe dhe nuk e shiti si mrekulli ekonomike. Nuk e trajtoi as si fushatë elektorale, kjo është e vërteta. Ju i mbroni të korruptuarit me ligj dhe i mbroni, sot u falni edhe paratë, kurse më 2013 i morët erzin shqiptarëve”, tha ai.
Sipas tij, socialistët erdhën më 2013, burgosën qytetarët për shkelje të vogla ndërsa sot japin dhe falin pa problem milionat për klientët.
“I mbani mend ata që vranë veten më 2013 për 30 apo 40 mijë lekë? Kurse sot me një të rënë të lapsit po falni miliona. Shqiptarët e kuptojnë shumë mirë se çfarë po bëni sot me ta dhe çfarë bëtë me ta dje”, përfundoi deputeti demokrat.
Lini një Përgjigje