Politike 1 Dhjetor 2023, 21:48

4 dhjetori, e hënë e “zjarrtë”/ SPAK në provë para Berishës, kreu i “Rithemelimit” mobilizohet për kaos në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti
4 dhjetori, e hënë e “zjarrtë”/ SPAK në
Berisha gjatë "revolucionit" në Kuvend

Neni 231 i Kodit të Procedurës Penale detyron prokurorinë dhe gjykatën që të vendosin një masë më të ashpër ndaj Berishës nëse nuk shkon në SPAK...

E hëna e 4 dhjetorit duket se do të jetë një ditë e “zjarrtë” për politikën. Në orën 10.00 Lindita Nikolla ka njoftuar se do të mbahet seanca e radhës parlamentare, seancë e cila duket se do të sjellë sërish përplasjet mazhorancë-opozitë.

Por ndryshe nga seancat e tjera, në orën 10.00 që ajo do të nisë, ish-kryeministri Sali Berisha do të duhet të jetë në SPAK. Ndaj tij ka një masë sigurie “detyrim paraqitje” dhe GJKKO ka vendosur që të hënën e parë dhe të tretë të muajit, Berisha duhet të paraqitet pranë një oficeri të policisë gjyqësor në SPAK.

Në nëntor Berisha ja hodhi paq duke u kapur pas faktit se vendimi nuk kishte marrë formë të prerë pasi e kishte ankimuar në Apel. Por edhe Apeli nuk e ndryshoi masën dhe do të thotë se tani është taksative dhe nëse Berisha të hënën nuk shkon në SPAK, atëherë drejtësia është në test para tij.

Neni 231 i Kodit të Procedurës Penale detyron prokurorinë dhe gjykatën që të vendosin një masë sigurie më të rëndë: “Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”.

Pra duket se drejtësia do të jetë në test. Nëse ndaj Berishës nuk merret asnjë masë, atëherë mund të themi se reforma ra, pasi kemi drejtësi me dy standarde. Nëse një qytetar i thjeshtë thyen masën e sigurisë, ai arrestohet direkt, ndërsa për politikën ky standard nuk ekziston.

Por teksa gazetarët e kronikës do jenë te dera e SPAK në orën 10.00, sipas informacioneve, Berisha do të jetë në Kuvend për të dërguar një tjetër mesazh. Priten sërish flakadanë, tymuese dhe tensione në sallë. Që do të thotë me shumë mundësi seanca do zgjasë 5 minuta e do të mbyllet, duke qenë se në rend dite është diskutimi për zgjedhësit. PS e PD nuk është se e vrasin shumë mendjen për qytetarët kështu që e kanë për kollaj të ikin. Megjithatë sinjalet janë se do të jetë një e hënë e ngjeshur dhe nëse do të ketë më shumë zhvillime e ka në dorë SPAK. /Pamfleti