
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar NATO-n për 74-vjetorin e krijimit , teksa ka shkruar se Shqipëria së bashku me aleatët e tjerë, janë vendosur për të forcuar sigurinë në rajon dhe kudo.
“Gëzuar ditëlindjen NATO! 74 vite në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike! Shqiperia së bashku me aleatët e tjerë e vendosur për të forcuar sigurinë në rajon dhe kudo”, ka shkruar Begaj në Twitter.
NATO ( Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior, Akronym: OTAV) është blloku perëndimor ushtarak. Kjo organizatë u themelua me firmosjen e Traktatit Atlantiko-Verior më 4 prill 1949 me qendër në Bruksel. Organizata ka themeluar një sistem mbrojtjeje kolektiv ku vendet anëtare bien dakord të mbrojnë njëra-tjetrën në rast sulmi nga një palë e jashtme. Selia qendrore e NATO-s është në Bruksel, kryeqyteti i Belgjikës. Kjo organizatë luan një rol nëpër krizat politike, dhe të gjitha shtetet anëtare të saj kontribuojnë me forcat dhe pajisjet e tyre ushtarake.
Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009, ndërsa mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009.
Shqipëria është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan, ndërsa gjatë 10 viteve si pjesë e Aleancës, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi.
Në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë, marrëdhëniet Shqipëri-NATO, kanë hyrë në një fazë të re, pas vendimit të Aleancës për të ndërtuar në Kuçovë, një bazë ajrore, ku NATO ka parashikuar të investojë në Bazën Ajrore të Kuçovës, gjatë 5 viteve të ardhshme 51 milionë euro.
Lini një Përgjigje