TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Korrik 2025, 19:12

A do e marrë mandatin e deputetit Adriatik Lapaj? Endri Shabani: Furtunë në gotë, ja si nisi debati me Kordhonin

Shkruar nga Pamfleti

A do e marrë mandatin e deputetit Adriatik Lapaj? Endri Shabani:

A ka një krisje mes ‘Nismës Thurje’ dhe Shqipëria Bëhet pas zgjedhjet e 11 majit dhe çfarë do të ndodhë me mandatin e Adriatik Lapajt?

Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani i ftuar në Report Tv ‘qetëson’ aleatin e tij Lapaj, duke theksuar se i ka kërkuar KQZ që të njohin dorëheqjet e kandidatëve në listën e mbyllur dhe të shkojnë tek kandidatët e listës së hapur. Koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ ka fituar vetëm një mandat në Tiranë, ku më i votuari i listës së hapur është vetë Lapaj.

“Ka një realitet mediatik, u krijua një furtunë në gotë. U krijua bindja sikur një nga aktivistët e Nismës ka marrë mandatin, gjë që s’ka ndodhur. Prej 2 muajsh presim që KQZ të marrë një vendim për shpërndarjen e mandateve dhe për njohjen e dorëheqjeve që ne kemi depozituar dhe gjatë kësaj periudhe ka kaluar kohë, ka pasur edhe ato zhvillimet, por praktikisht nuk ka ndodhur asgjë. Të premten kam dërguar letër që të procedojnë sa më shpejt me njohjen e dorëheqjeve që janë depozituar nga lista e mbyllur dhe të procedojnë me shpërndarjen te lista e hapur, ku në Tiranë është Lapaj”, tha Shabani.

Shabani sqaron me detaje edhe debatin për mandatin në Tiranë dhe historinë me kandidatin Zeqir Kordhoni, i cili ‘rrezikon’ karrigen e Lapajt në Kuvend.

Sipas Shabanit, kandidati në fjalë ka garuar në listë të hapur nga Nisma Thurje, por ‘Shqipëria Bëhet’ e ka vendosur në listë të mbyllur për shkak se e ka zëvendësuar me një grua për të respektuar kuotën gjinore.

Shabani thotë se Kordhoni ka pasur dëshirë që të kandidonte në listë të hapur, por përfundoi në listën e mbyllur pasi Shqipëria Bëhet dorëzoi listat me emrat e kandidatëve në ‘minutën e fundit’ në KQZ dhe më pas koha ishte shumë e shkurtër për të rregulluar gabimin me koutën gjinore.

“Kordhoni është aktivist i nismës, që në 2023, ka qenë vëzhgues zgjedhjesh, ka shpërndarë fletëpalosje, ka qenë kandidat dhe ka dashur të ishte kandidat në listën e hapur. Për shkak të ligjit zgjedhor ne i kemi depozituar 40 kandidatë tek Shqipëria Bëhet, që ishte partia drejtuese e koalicionit. Ata pastaj e kanë depozituar në KQZ, Shqipëria bëhet e vonoi deri në fund. Listën e dorëzoi në 12 të natës dhe siç bëhen gjërat në momentin e fundit, ka pasur një gabim ku kanë çuar më shumë gra tek lista e mbyllur. KQZ ia ktheu dhe i dha një afat shumë të shkurtër dhe për shkak të mungesës së balancës ligjore, kishte më tepër gra se çfarë lejon ligji, ata kanë shtuar zotin Kordhoni tek lista e mbyllur. Ai i ka kërkuar informacion KQZ, cila është situata, dokumentacioni që është depozituar. Ka qenë një kërkesë për informacion ajo që keni deklaruar në media”, thekson Shabani.

Që Lapaj të futet në Kuvend, duhet të refuzojnë mandatin 12 kandidatët e listës së mbyllur.

Lini një Përgjigje