TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Qershor 2023, 17:32

A do t’i hapet rrugë rikthimit të Bashës? Mblidhet kryesia e PD, priten debate për riorganizimin e partisë

Shkruar nga Pamfleti

A do t’i hapet rrugë rikthimit të Bashës? Mblidhet kryesia

Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur këtë pasdite për të diskutuar mbi organizmin e partisë. PD është në kaos prej afro 2 vitesh dhe kanë nisur diskutimet për organizimin e saj si në nivel lokal ashtu dhe qendror. Dje pati dy qëndrime të ndryshme nga grupi parlamentar dhe Kolegji i Kryetarëve.

Deputetët kërkojnë që organizimi të nisë nga poshtë-lart. Pra të bëhen një herë zgjedhje në bazë dhe në fund të zgjidhet kryetari i partisë. Por krerët e degëve dolën kundër këtij propozimi të Gazmet Bardhit. Ata kërkuan që brenda 15 korrikut të jetë zgjedhur kreu i ri i partisë, pasi nuk mund të vijohet pa kryetar.

Të dyja propozimet do të jenë sot në diskutim dhe është Kryesia ajo që merr vendimin final. Mbledhja e sotme do të shoqërohet me debate, pasi disa anëtarë e kanë deklaruar hapur se janë kundër zgjedhjeve për kryetarin. Shumë prej tyre e shohin hapjen e garës tani si një rikthim të Lulzim Bashës. Ky i fundit ka nisur fushatën dhe e ka treguar qartë se në momentin që do të hapet gara, do të garojë. Një shtyrje e procesit i mbyll derën Bashës, por nëse hapet gara, nuk ka asnjë pengesë që ai të garojë.

Duke parë historikun e zhvillimeve në PD, Kryesia gjithmonë ka anuar nga Basha. Rasti më i fundit është ai i daljes me kandidatë në disa bashki të vendit. Bardhi dhe Tabaku dolën kundër, por Kryesia i rrëzoi dhe vendosi që të kishte kandidatë në disa bashki. Megjithatë mbetet të shihet nëse do ketë një vendimmarrje finale, apo diskutimet do të vijojnë disa ditë.

Anëtarët e Kryesisë së PD-së të cilët mund votojnë sot janë: Jorida Tabaku, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Jemin Gjana, Flamur Hoxha, Jonila Godole, Taulant Zeneli, Orjela Nebija, Endri Hasa, Indrit Sefa, Kreshnik Çollaku, Roland Bejko, Gentjan Gaba, Agron Kapllanaj, Dhurata Çupi, Fitim Zekthi, Gazmend Koduzi, Helidon Bushati, Juela Hamati, Orjola Pampuri, Taulanta Jupi, Xhemal Gjunkshi, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Bledion Nallbati, Saimir Korreshi, Arbi Agalliu, Merita Bakiu.

 

 

 

pd basha

Lini një Përgjigje