Ndërkohë, një tjetër front i luftës së ftohtë, deri më tani, dhe që shumë shpejt mund të bëhet e nxehtë ndërmjet Sulltanit e mutesarifit të tij “katolik” të Tiranës, është aleanca e Edit me Mohamed Bin Selman...
Pas deklaratës së djeshme të SHBA, sot mund të thuhet se për zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë folur dy kancelari të rëndësishme që kanë lidhje me Shqipërinë: Athina dhe Ankaraja.
Athina, dihet se nuk është në një linjë me Edi Ramën, madje Micotaqis zgjodhi si partner Sali Berishën dhe Ilir Metën. E për këtë, mësohet se ka marrë një ‘dru të mirë’ nga ‘deep state’ i Greqisë.
Micotaqis, gjithashtu mungoi në samitin e Tiranës me liderët e BE-së.
E dyta, është Ankaraja.
Rexhep Tajip Erdogan erdhi në samitin e Tiranës, pati një shkëmbim të ftohtë batutash me Edi Ramën, por vetëm kaq. Sulltani nuk ja uroi fitoren, as përballë, domethënë me gojë, as publikisht e as privatisht, por as edhe me shkrim.
Ambasada turke në Tiranë, në faqen e saj nuk ka një qasje të Ankarasë për zgjedhjet në Shqipëri.
Ky qëndrim në dukje indiferent, por në realitet, i pastër politik, nuk ka ndodhur asnjëherë, pasi Erdogan fliste para edhe pas zgjedhjeve pro Edi Ramës.
Erdogan, mësohet se është përplasur keq, madje shumë egër me Ramën në lidhje me anonçimin e shtetit Bektashi, pikërisht përpara se Turqia të merrte Sirinë, me një operacion spektakolar dhe me bekimin amerikan e europian.
Sulltani e ka konsideruar idenë e shtetit Bektashi, si një tentative të Izraelit për të bashkuar faktorin alevi në Siri me “urdhërin sovran” të Shqipërisë, që sipas tij do të kontrollohej nga Izraeli. Aq me të keq e ka marrë Erdogan këtë nismë të Ramës, sa i ka thënë se po e dëgjova edhe njëherë nga goja jote këtë opsion, je armiku im.
Dhe në realitet, Edi Rama nuk e ka përmendur më, Baba Mondi nuk dihet ku është dhe çfarë bën, sepse nuk ka dalë më në publik.
Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, pasi mos prononcimi për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit fsheh një qëllim politik të pastër të Ankarasë. Të ngrejë një pol opozitar kundër Edi Ramës që të ketë mbështetjen e saj.
Paratë dhe njerëzit nuk i mungojnë. E këtu është në një linjë por nga ana tjetër në konflikt me Athinën që kërkon të njëjtën gjë dhe ka të njëjtat mjete. Por, paratë turke në Shqipëri janë më shumë se ata greke, thonë raportet e shërbimeve perëndimore.
Të cilat pohojnë se Ankaraja po investon prej kohësh për një figurë të re politike, i cili është nip i një ish-deputeti dhe ish-diplomati të njohur në vend, i cili zotëron edhe një media dhe një OJF të financuar nga shërbimet turke.
Erdogan duket se ka ndikuar tek xhemati pro tij në Shqipëri se kë duhet të mbështesin, gjë që ka sjellë mjaft pakënaqësi brenda njerëzve pro Erdoganit këtu. Të cilët e kanë konsideruar si prerje në besë nga Sulltani, për kauzën që ata mbështetën në luftë me Komunitetin Musliman Shqiptar.
Këtu situata ka ngecur, e mësohet se janë dërguar edhe negociatorë nga Stambolli e Ankaraja për t’i rregulluar këto marrëdhënie. Që sipas turqve, janë të nxitura nga Edi Rama.
Ndërkohë, një tjetër front i luftës së ftohtë, deri më tani, dhe që shumë shpejt mund të bëhet e nxehtë ndërmjet Sulltanit e mutesarifit të tij “katolik” të Tiranës, është aleanca e Edit me Mohamed Bin Selman.
Një ditë pas Samitit të Tiranës, u mbajt forumi i Future Investment Initiative, i cili nuk është gjë tjetër veçse një “Davos” i financuar dhe organizuar nga Princi i Kurorës i Arabisë Saudite.
Në Intervistën që Edi Rama zhvilloi me kreun e kësaj organizate, Richard Attias, është vënë re një detaj interesant. Attias, e pyet Ramën nëse do të jetë në Samitin e madh që do të mbahet në korrik. E Rama përgjigjet pak a shumë se edhe sikur bota të përmbyset ai nuk do të mungojë.
Pikërisht në Korrik, qarqet diplomatike Tiranë- Rijad kanë përgatitur edhe një vizitë zyrtare të kryeministrit në Arabinë Saudite.
Batuta e Edi Ramës, i drejtohej direkt Erdoganit, i cili me anë të mashave të tij të Tiranës, po e sulmon ashpër si “qafir dhe jo besimtar, apo edhe mik të Izraelit” Princin e Kurorës së Arabisë Saudite.
I cili ka lidhje direkte dhe shumë të ngushta me Donald Trumpin, me Emanuel Macron, me Putin dhe Xi Jiping, si dhe marrëdhënie të mira me Izraelin.
Lumi i trilionave nga Mbretëria Saudite normalisht se do të ketë rrjedhën më të madhe në SHBA, siç u tha në vizitën e parë jashtë vendit të Trump; në Francë, falë miqësisë me Macron, por edhe në Itali, ku kanë punësuar ish-kryeministrin Matteo Renzi si negociator.
Rama shpreson çikërrimat qindra milionëshe që mund të teprojnë në këtë fond të stërmadh, por më shumë se kaq, qënien në një klub ku aderojnë të mëdhenjtë e botës.
Edhe investimi në Sazan, që është marrë përsipër nga Jared Kushner, në shumicën e tij është një fond i ardhur nga portofoli i Princit të Kurorës.
Të gjitha këto janë kushte të qarta që Erdogan ta bëjë sikter “birin” e tij që i ka dalë plangprishës, por që nuk është as hera e parë, apo edhe me të tjerë që i ka mbajtur afër në vendin e vet e i ka mbështetur.
Kështu që Ankaraja ka vendosur të mbështesë një opozitë kundër Edi Ramës, që të jetë sa më radikale që të jetë e mundur në aspektin fetar, e të ketë si synim xhematin musliman në vend. Ndërkohë që Athina kërkon mbështetjen e estremistëve filohelenë, kryesisht në zonën e Himarës.
Me pak fjalë jemi kthyer në vitin 1913, kur ndërkohë që grekët po merrnin Janinën, Beqir Gëberneja me disa ushtarë turq me origjinë shqiptare kërcënonin Ismail Qemalin.
Jo se Babloku është si ati themelues, edhe pse mjekrën e ka të ngjashme, por gjeopolitikisht Turqia nuk e konsideron më Edi Ramën si aleat, përkundrazi e trajton si një kundërshtar të madh. E për këtë po ngre, mbështet, financon e udhëzon një opozitë të re kundër tij.
Deri tani, megjithatë askush nuk ka kontaktuar me Sali Berishën nga kjo “opozitë”, madje edhe grekët me gojën e Belerit kërkuan dorëheqjen e tij. Berisha kërkon të rikthehet negociatori i kësaj përpjekje të re, ndërkohë që si Ankaraja ashtu dhe Athina kanë plane të tjera./Pamfleti
Lini një Përgjigje