Editorial22 Mars 2023, 14:05

A i kurdis Edi Rama hetimet VIP në SPAK?

Shkruar nga Pamfleti
A i kurdis Edi Rama hetimet VIP në SPAK?
Edi Rama dhe "kurbani" i tij i rradhës, Arben Ahmetaj

Duket qartë se ka një logjikë ‘ngriva-shkriva’ në këtë aspekt, ku njëherë nis një proces ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës, e më pas gjykata vendos që të mos ua hetojnë pasurinë. Si për të thënë që “rrini urtë se ju kam në dorë”.

Tashmë nuk janë vetëm zërat që vijnë nga analistë e gazetarë që konsiderohen pranë Sali Berishës dhe Ilir Metës. Edhe njerëz të mazhorancës kanë nxjerrë në publik tezën se një pjesë e hetimeve të larta në SPAK, janë të kurdisura nga Kryeministri Edi Rama.

Së pari këtë e tha Arben Ahmetaj në intervistën për Blendi Fevziun në ‘Opinion’. I cili deklaroi se “Rama duhet të bëjë kryeministrin e jo gjyqtarin”. Një aludim i qartë ky se kreu i qeverisë, jo vetëm luan fijet në SPAK por edhe në Gjykatën e Posaçme.

Pas Ahmetajt, ishte një tjetër zyrtar i lartë i mazhorancës që lëshoi “bombën” e radhës. Bëhet fjalë për kryetarin e arrestuar të bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla. I cili në seancën gjyqësore për masën e sigurisë në GJKKO, tha tekstualisht: Të më kishin thënë që hap krahun, isha larguar, por kështu të më largojnë me këtë turp, kur s’ka asnjë fakt e logjikë, nuk është normale.

Po sa realisht Edi Rama ndikon në SPAK?

Një vit më parë në Kongresin e PS-së, ai e orientoi Prokurorinë Speciale se ku duhet të përqendroheshin ndër hetime, ndërkohë që lëshoi frazën e fortë: “Do të çoj për veshi ndonjë nga mazhoranca në SPAK”.

Nuk kaloi shumë kohë dhe njerëz që njihen si përkrahës të PS-së, depozituan në prokurorinë Speciale padi ndaj Ilir Metës, Sali Berishës, por edhe Arben Ahmetajt, i cili prej kohësh ka pasur një përplasje në PS, pikërisht në vitin 2018, kur u largua nga posti i ministrit të Financave dhe vendin e tij e zuri Anila Denaj. Në atë kohë, Ahmetaj përjetoi një mënjanim të fortë, ku në PS u konsiderua si ‘koka e turkut’ e “Carit”. Por nuk qe e thënë, Rama, me dinakëri e emëroi si ministër për rindërtimin pas tërmetit të 2019-s, nga frika se mund të kishte një situatë përçarje brenda PS, e ndërkohë anuloi shkarkimin e Ilir Metës nga presidenca, për t’i dhënë të kuptojë se është për marrëveshje.

Ilir Meta, i cili i kishte refuzuar 4 ministra, pranoi të dekretonte Arben Ahmetajn me logjikën e thjeshtë, se kush ka qenë i dekretuar më parë mund ta merrte kollaj firmën e tij.

Kështu, Ahmetaj punoi për Rindërtimin, duke u kthyer në një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës, edhe një herë. Por nga ana tjetër, Babloku po punonte për ta goditur pas shpine. E kur e emëroi zv.kryeminisër pas zgjdhjeve të vitit 2021, Ahmetaj e kuptoi se po i vinte fundi, e siç mësohet ka pasur edhe një përplasje me kryeministrin. Pasi roli i zv.kryeministrit me Edi Ramën, jo vetëm që është kot, por ka shërbyer thuajse gjithmonë për të shkarkuar problemet e kreut të qeverisë. Megjithatë fakt është se Ahmetaj, ndryshe nga Braçe, Senida Mesi apo Niko Peleshi, ka firmosur më pak VKM në mbledhje qeverie, çka është një kusht për të bërë zv.kryeministrin. Përgjithësisht zv.kryeministri pikërisht këtë rol ka pasur, përveç rastit me Ahmetajn kur duket qartë se ishte një kurth.

Ndërkaq, arrestimi i kryetarit të bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, ndodhi si me buton, pikërisht ditën kur në Tiranë erdhën dy zyrtarët e lartë të BE-së, Josep Borrel e Oliver Varyheli. Dhe Rama u mburr se drejtësia po ndëshkon zyrtarë të mazhorancës që duhet të marrin avokatë.

E duket i çuditshëm fakti se për Saimir Tahirin, Arben Ahmetajn, Lefter Allën etj, ka pasur një “drejtësi” preventive duke i kontrolluar e burgosur egërsisht, ndërkohë që për Sali Berishën, Ilir Metën hetimet ecin me “hapin e breshkës”. Dhe akoma më keq për Ilir Beqajn, i cili ka denoncimet më të shumta, e ku është regjistruar edhe procedimi për çështjet e PPP-ve në shëndetësi.

Njëjtë natyrisht edhe për shumë e shumë zyrtarë të tjerë. Duket qartë se ka një logjikë ‘ngriva-shkriva’ në këtë aspekt, ku njëherë nis një proces ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës, e më pas gjykata vendos që të mos ua hetojnë pasurinë. Si për të thënë që “rrini urtë se ju kam në dorë”.

Ndoshta e gjitha kjo mund të jetë një hipotezë, që ende nuk është bërë tezë, e natyrisht do të ketë shumë të tilla në të ardhmen, por SPAK, mundet që për të davaritur dyshimet të hapte hetimet për të gjithë ata që kanë padi në Prokurorinë Speciale për çështje të rënda korrupsioni. Le të hetohen në gjendje të lirë, por të paktën të nisë hetimi për të gjithë, me ‘kuç e me maç’ për ato politikanë që jetojnë në luks, e nuk do t’i bënin kurrë ato pasuri me rroga…/Pamfleti

edi rama spak hetime vip korrupsioni

Editorial