Dallkaukët dhe injorantët janë të zorshëm për tu mposhtur, vetëm të ngjashmit e tyre ua njohin hilet!
Nëse Shqipëria do t'i mbijetojë qeverisjes së Edi Ramës, në faqet e historisë së saj, këto vitet e fundit do të shkruhen si periudha kur socialistët që morën pushtetin tejkaluan edhe Enver Hoxhën për nivelin e njerëzve me të cilët vendi u drejtua. Nëse Enveri u fsheh pas pushtetit të popullit të thjeshtë dhe klasës punëtore, duke i vënë kazmën çdo vlere dhe vrarë e përndjekur çdo njeri të shkolluar të këtij vendi; Edi Rama ka 10 vjet që fshihet pas një tufe me injorantë, zyrtarisht të shkolluar dhe me doktoraturë, praktikisht të nxjerrë nga llumi më i keq i padijes dhe dashakeqësisë.
Fundja Enveri dhe Rama, janë i njëjti soj dhe doktrinën e qeverisjes e kanë të njëjtë. Edi Rama vetëm sa e ka tejkaluar e nëse babai i tij shpirtëror do të ishte gjallë, do t'ia kishte zili.
Ka një barsoletë që tregohet për Edi Ramën. E tregojnë njerëz shumë të afërt me të dhe thonë se nëse Kryeministrit i jep një thes plot me majtë, por vetëm me një copë jashtëqitje në të, ai do të fusë dorën, ta rrotullojë mirë e mirë e prej andej të nxjerrë të vetmen copë jashtëqitje që gjendet ne atë thes.
Nuk është për të qeshur! Është fatkeqësi e këtij populli që i ra për pjesë kjo qeveri e mbushur me dallkaukë dhe injorantë.
Nga t'ia fillosh?! Le ta nisim nga jashtëqitja më e freskët:
Toni Gogu një personazh krejtësisht anonim, që as Dreqi nuk e di se nga e gjeti Edi Rama dhe që nuk zuri karar, as në bashki, as si zëvendës ministër e as tani si deputet, na la pa fjalë.
"170 vite këngë e lavdi, dedikuar Hajredin Pashës, heroit të gjithë dibranëve. Një prej dedikimeve që ndër breza është trashëguar e vijon të ngjallë njësoj emocione, shkruante Gogu i emocionuar në rrjetin e tij Facebook, ndërkohë që paska qenë duke ndjekur një emision në Top Channel.

Toni pra! Ky deputet dallkauk, por mustaqekrehur, i mbirë nga askundi dhe që Babloku e lë të luajë pushtetesh, Hajredin Pashën e shpalli hero të dibranëve. Iu përgjigjën njerëzit nëpër rrjete dhe e sqaruan Tonin se kush ishte Hajredin Pasha, i shpjeguan edhe kuptimin e këngës që Tonin e kishte emocionuar aq shumë, por çfarë vlere ka!
Sqarimet dhe talljet nëpër rrjete sociale nuk e ndryshojnë dot nivelin e Toni Gogut dhe të ngjashmëve të tij.
Sa mirë sikur të ishte vetëm ky dhe sa mirë sikur të ishin vetëm njohuritë në histori handikapi i njerëzve të Ramës.
A ia vlen t'ua numërojmë "perlat" e Bora Muzhaqit?
Herën e fundit që foli në publik, iu tha të rinjve që e dëgjonin se "fëmijët e klasës së parë duhet të mësojnë kodimin dhe se ata (adoleshentët që kishte përballë), duhet të pyesin fëmijët e tyre për këtë". Bora ka këputur aq shumë "perla" sa në intervistën e fundit ka thënë se "edhe vetë ajo shkrihet së qeshuri me gafat e veta".
Por Bora të paktën është ministre pa portofol, po kësaj të Financave çfarë ti themi kur del e thotë se "nëse një shqiptar merr 130 euro në muaj nuk quhet i varfër". Ka financat e vendit në dorë!!!
Po Edona Bilalit që e krahasoi Ramën me Zeusin çfarë ti themi!! Ose Frida Krifcës që kërkonte të mbillej grurë në mars dhe projektin më të madh si ministre të bujqësisë kishte hapjen e akademisë së barinjve.
I dëgjojnë shqiptarët bëmat e klasës së batakçinjve që kanë uzurpuar pushtetin e Shqipërinë, helmohen dhe ikin nga vendi i tyre. Jo sepse nuk duan të përpiqen dhe as sepse nuk e duan Shqipërinë. Por sepse lufta me injorancën është e zorshme dhe kujtimi i Enverit është ende i freskët. Me ca të tillë vrau, preu dhe ngriti diktaturën më të ashpër në Evropë, Enver Hoxha. Me ca të tillë po ha, vjedh, vret e përzë shqiptarët nga dheu i tyre Edi Rama. Dallkaukët dhe injorantët janë të zorshëm për tu mposhtur, vetëm të ngjashmit e tyre ua njohin hilet!/Pamfleti

Lini një Përgjigje