
Politikisht, krejt kjo në pamje të parë mund të duket si një lojë e re e Edi Ramës, me Kosovën, patriotizmin, por një gjë është e sigurt: siguria nuk është aspak lojë. As patriotizmi. As Kosova.
Në Shqipëri habiten se sa ka fëmijë nga Kosova me emra qytetesh, lumenjsh, malesh, kështjellash, proçkash apo vendesh të humbura të cilat shqiptarët rezident as i kanë dëgjuar. Presidentja e Kosovës për shembull ka një emër të tillë edhe pse lumi është më i njohur dhe vlerësuar tani, në epokën e artë të turizmit shqiptar.
Pastaj vjen një armatë e tërë me emra Shkodran, Shkumbin, Tomor, Berat, Sarandë, madje edhe Milot, një qytezë kjo krejt e zakonshme skaj rruge, me tezga plot fruta shpesh të skaduara, ku blejnë si të çmendur turistët kosovarë në kthim e sipër për në atdhe. Për në mëmëdhe. Për në shtëpi, thuaj se atdheu ynë shqiptar shtrihet përgjatë gjithë planetit. Kudo që shkon gjen një copë Shqipëri, të cilën e marrim me vete në trastën tonë emocionale të arnuar, në ikjen tonë të pafund nga vetvetja.
Pastaj përmes mbikalimit del në vertikalen Shkodër- Sarandë. Në mes të këtij boshti, ndoshta pak më poshtë se mesi, ndodhet edhe Vlora, vendi ku u ngrit flamuri, aty ku Isa Boletini me gardën kosovare, në emër të Qeverisë së parë Kombëtare, rrahu në dru turkofilët të cilët po kërkonin kthimin e perandorisë, në kohë të papërshtatshme, fill pasi ishte shpallur pavarësia.
Tani, kur jemi te opsesioni i kosovarëve me toponimet shqiptare, Vlorë quhet edhe kandidatja për kreun e SHISH-it, një femër kjo me origjinë nga Kosova, e cila ka një përvojë të respektueshme në profesion. Në biografi i shkruan edhe se u largua nga detyra për shkak të kalimit në SHISH.
Pra, një femër në krye të Shërbimit Informativ të SHISH, nuk tingëllon keq, as frikshëm. Fakti se kandidatja vjen nga Kosova, mund të nxjerrë edhe imazhe të tjera nga subkoshienca e politikës shqiptare. Politikisht, krejt kjo në pamje të parë mund të duket si një lojë e re e Edi Ramës, me Kosovën, patriotizmin, por një gjë është e sigurt: siguria nuk është aspak lojë. As patriotizmi. As Kosova.
Duke pasur parasysh situatën delikate në të cilën ndodhet krejt regjioni nën trysnitë që vijnë nga e ashtuquajtura transversalja e gjelbër, e cila zgjatet prej Klladushe deri në Pacifik, shto këtu edhe transversalen fundamentaliste ortodokse që nga Tivari deri në Vlladivostok, shto edhe sfidat tradicionale të brendshme, të Shqipërisë dhe shqiptarëve, vështirë se dikush, sado aventurier që do të ishte, do të guxonte të luajë me këtë çështje. Pra, vendimi vështirë të ketë qenë vetëm shqiptar, vetëm i Ramës.
Ajo që nuk është kalkuluar është se Edi Rama mund të mos e ketë dëshiruar as vet një opsion të tillë. Sido të ketë qenë, pas takimit të Kryeministrit me Presidentin, “patatja e nxehtë” në formën e propozimit që duhet dekretuar mbeti në tavolinën e këtij të dytit, tani presioni publik nga opozita dhe Kosova, i tëri tashmë është drejtuar mbi të.. Mos e dekreto, President, lexohet nëpër mediat Sociale. Është provokim ndaj Kosovës, thuhet. Është e qartë, se është krejt e paqartë përse janë kundër!
Në fakt, në politikën shqiptare dhe këtu mendoj në atë rajonale, mjafton që kundërshtarët politik të jenë pro që ti të jesh kundër, pa e menduar fare. Nuk gabon asnjëherë. Si mund të ishte ndryshe, janë linja të vjetra të ndikimit. Armiqtë na formojnë më shumë dhe më fuqishëm se miqtë, pasi miqtë edhe i ndërron ose i humb me vullnetin tënd, ndërsa armiqtë nuk i ndërron dot kur të duash.
Nëse kërkojmë arsye të brendshme, ardhja në krye të shërbimit e dikujt jashtë strukturës drejtuese në SHISH, tregon për interesimin e faktorit ndërkombëtar për të bërë ndryshime dhe për të prerë lidhjet e inteligjencës shqiptare me skenën e konfrontuar dhe kontaminuar politike, me oligarkët, me grupet e krimit, apo me ndikimet nga vijat ekstreme, fundamentaliste nga jashtë.
Një properëndimore, jashtë skemave të brendshme dhe kombinimeve të brendshme, do të ishte mbështetje e fortë për perëndimin, për të kontrolluar më mirë një zonë e cila përflitej se po u ikte nga kontrolli. Bashkëpunimi i Ramës, me perëndimorët lidhur me çështjet e sigurisë, e sjell atë në një marrëdhënie të re me aleatët e tij të brendshëm. Koha do të tregojë, nëse ai po e forcon pozitën e vet, apo po e pret degën ku është ulur.
Sido që të jetë, çka pason pas emërimit të një kosovareje në krye të SHISH-it? Një President kosovar, një Ministër i Jashtëm, apo një kosovar/e në Ambasadën Shqiptare në Beograd?
Në fund fare, a thua si do ta marrë Serbia këtë emërim: si provokim të Ramës apo si vazhdim të miqësisë mes dy presidentëve, ups..gabim! Por mund edhe të mos jetë gabim. Vuçiç ka gjasa se në mandatin e ardhshëm synon të jetë sërish kryeministër i Serbisë, ndërkohë që as Ramës nuk i dihet...është ambicioz dhe kollaret i dizenjon vetë!
Sido që të jetë, ky hap, është një hap përpara drejt (ndër)kombëtarizimit të SHISH-it./Pamfleti