Politike22 Maj 2023, 11:22

A ishte Fred Beleri, një dhuratë e Edit për Qirjakon?!

Shkruar nga Pamfleti
A ishte Fred Beleri, një dhuratë e Edit për Qirjakon?!
Kyriakos Mitsotakis dhe Edi Rama

Duket se njeriu që fitoi ngushtë zgjedhjet për kryebashkiakun e Himarës nga paraburgimi, ishte “viktimë” e një loje të madhe...

Siç u bë e qartë tashmë nga zgjedhjet parlamentare në Greqi, Qirjakos Micotaqis ka marrë një votë masive, por që ende i mungojnë 5 deputetë për të gatuar mazhorancën. 5 deputetë, që pjestari i një sage pushtetarësh të palëvizshëm, mund t’i gjejë kollaj. Por ai nuk do këtë, i duhet një pushtet absolut, ndaj do t’i drejtohet zgjedhjeve në një muaj, ku mund të marrë sipas ligjit të ri, bonusin e deputetëve për të qeverisur i vetëm.

Micotaqis, kishte një slogan të njëjtë me Edi Ramën: “Vetëm përpara, kurrë më mbrapa”. Dhe rezultati i votës ishte njësoj si harta rozë e Shqipërisë.

Jo më kot, lideri i së majtës greke, Janis Varufaqis e quajti këtë fenomen “Erdoganizimi i Greqisë”. E nuk e ka keq, pasi po bëhet fjalë për një klan të madh që kontrollon gjithçka në Greqi; qeverinë, ekonominë, bashkinë e Athinës, që drejtohet nga djali i së motrës, Kostas Bakojanis.

Shto këtu këshilltarët e përbashkët e miqësinë e afërt me Edi Ramën, ka edhe një “koinçidencë” që i bashkon dy “erdoganët ballkanikë” siç i quajti Varufaqis.

Në Athinë po ndërtohet një marinë me kulla të shtrenjta e luksoze të stilit emiratas, fiks si ajo e Durrësit.

Pra kemi të bëjmë me një koorporatë dukshëm më e madhe se marionetat që lëvizin me urdhër, por që shefave të mëdhenj i duhen të kenë pushtet absolut e për të vendosur gjithçka.

Nuk ishte aspak rastësi udhëtimi i Alex Sorosit me shpejtësi në Tiranë e Prishtinë ku ka takuar Edi Ramën e Albin Kurtin.

E meqë ra fjala për marioneta, një nga të tillët ka qenë Fredi Beleri e zgjedhjet e Himarës.

Duket se njeriu që fitoi ngushtë zgjedhjet për kryebashkiakun e Himarës nga paraburgimi, ishte “viktimë” e një loje të madhe.

E gjithë zhurma përpara zgjedhjeve e pas arrestimit, nuk ka qenë asgjë më shumë sesa një lojë e shtirur, që Qirjakos Micotaqis të fitojë zgjedhjet, duke pasur si trofe një “homogjen nga trojet e vorio Epirit”.

E sipas gjasave, akti i dytë i kësaj tragjikomedie greko-shqiptare do të luhet tani, deri në fillim të qershorit, kur do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare në Greqi. Tensioni do të bëhet sa më i lartë që të jetë i mundshëm, ose duke e mbajtur në burg Fredi Belerin, ose duke e shkarkuar nga detyra e kryebashkiakut, në mënyrë që Micotaqis të ngrejë zërin e të lëshojë rrufetë nga Olimpi për Edi Ramën. Pastaj si me magji tensioni do të zbresë, e një javë para zgjedhjeve Fredi Beleri do të shkojë në Athinë si qingj, do të pritet nga Qirjako me stafidhe e uzo të shuar në ujë, e më pas do të intervistohet në SKAI. Të kuruar natyrisht siç dijnë të bëjnë teatër i gjithë ky lëmsh politikanësh ballkanikë, që duket drejtohen nga e njëjta dorë, e cila nuk i lejon të nxjerrin fjalë të ndryshme nga ajo që kanë shkruar e përgatitur.

Duke i kthyer kështu në marioneta, thjesht robotë që edhe kur qeshin duken sikur zgërdhihen, pasi nuk kanë të drejtë të jenë njerëz të lirë. I keni parë si flasin njësoj edhe Rama e Micotaqis, apo Veliaj e Bakojanis, që kanë uruar njëri-tjetrin a thua se janë aleatë, por nga ana tjetër janë njëri majtas e tjetri djathtas?

Aleksis Cipras u dorëzua mbrëmë kur pa hartën blu të Greqisë, i çuditur se si ka mundësi që të ndodhë kjo kataklizmo. E vetmja njollë me ngjyrë të kuqe në hartën greke ishte Selaniku, qendra e vjetër e qytetërimit, e cila ka qenë gjithmonë kundër hegjemonisë së elitës së Athinës.

Shikoni me kujdes: Në Turqi është Erdogan që ka në dorë gjithçka, në Greqi Micotaqis, në Serbi Vuçiç, në Kosovë, Albin Kurti e në Tiranë Edi Rama. Të gjithëve si “rastësisht” u bën vizitë Alex Soros, e i quan “vëllezër” a thua se i ka bërë nëna e tij. E të gjithë këta, kanë të bëjnë me nga një Alabar e para pa fund nga Emiratet, Katari e Gjiri Persik, që nuk dihet as nga vijnë e as ku shkojnë. Ku ata që përfitojnë janë misteriozë e enigmatikë, si koorporatat offshore që kontrollojnë gjithë këta investime miljardëshe…/Pamfleti

fredi beleri edi rama qirjako micotaqis dhurata