Sali Berisha është braktisur nga establishmenti që ka krijuar vetë...
Në hetimet që po zhvillon SPAK ndaj Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës për aferën e privatizimit të klubit Partizani dhe ngritjes së 17 kullave në ish-territorin e klubit, bie në sy një fakt i vogël.
Ministri i Mbrojtjes, i kohës kur është bërë kalimi i pronës, Arben Imami, nuk duket gjëkundi. Jo vetëm në hetime, por as në publik.
Deri tani, Sali Berishën po e përkrahin fort vetëm disa figura jo bazike të qeverisjes së tij. I vetmi njeri nga ajo qeverisje që po i qëndron në krah është deputeti Oerd Bylykbashi, i cili gjithsesi ka qenë një këshilltar i kryeministrit dhe drejtues i një task force ad hoc pranë kryeministrit.
Por nga ministrat që kanë vënë firmën e tyre në VKM-në e shndërrimit të pronës nuk flet asnjëri.
Tre nga këta persona nuk jetojnë; Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë, Dritan Prifti, ministër i Energjetikës dhe Ekonomisë si dhe Sokol Olldashi, ministër i Transporteve. Ndërkaq, Arben Imami, ministri i Mbrojtjes pas zgjedhjeve të vitit 2009, pra kur është kryer procedura e privatizimit të klubit; Lulzim Basha, ministër i Brendshëm i kohës; Ilir Meta, zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm; Genc Ruli, ministër i Bujqësisë, por që në rastin e diskutimeve për kontratën ka qenë ministër i Ekonomisë; Fatmir Mediu, që kur nisi procesi ishte ministër i Mbrojtjes, por kur u vulos ishte ministër i Mjedisit, si dhe të tjerë, ministra me më pak peshë.
Ilir Meta, e ka mbrojtur Sali Berishën vetëm në aspektin politik, domethënë e ka quajtur aksionin e SPAK si një agression ndaj opozitës, por nuk se ka folur për çështjen në fjalë, edhe pse ai ka qenë aktor kryesor në faktin se ka qenë pjesë e Këshillit të MInistrave që ka miratuar VKM-në.
Sali Berisha, në mbrojtjen e tij, po tenton të përfshijë të gjithë ministrat, kur thotë se një VKM është vendim kolegjial, por në realitet askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për këtë deklaratë.
Me një fjalë, askush nuk e mbron Sali Berishën. Madje as Arben Imami, i cili është një person kyç, pasi kur ka nisur procesi ka qenë shef i kabinetit të kryeministrit, e kur është përmbyllur ka qenë ministër i Mbrojtjes. E kjo nuk është gjë e vogël. Gjasat janë që derisa nuk kanë folur në publik, megjithëse janë thirrur në kauzë nga Sali Berisha, ish-ministrat e tij nëse thirren në SPAK do të mbajnë një qëndrim “asnjanës”.
Ky është në realitet thelbi i çështjes. Pasi në qeverisjen e Sali Berishës në dy mandatet e tij, siç po dalin edhe nga faktet e hetuara prej SPAK, familja e ngushtë; pra djali e vajza, kanë pasur precedencë në përcaktimin e ortakëve dhe partneriteteve me aktorët privatë.
Ministrat thjesht janë vënë në dijeni dhe kanë kryer shërbimet, pa ndonjë vullnet politik për ta bërë. Që nga Gërdeci, ku duket qartë se më i rëndësishëm se Fatmir Mediu atu është Shkëlzen Berisha e deri te privatizimi i klubit Partizani, ku gjithçka është bërë për të pasuruar familjen e vajzës së Doktorit.
Pikërisht ky fenomen, duket se ka qenë një marrëveshje e pashkruar e pakteve të çuditshme të Sali Berishës me njerëz që dikur i kishte pasur armiq, e më pas i afroi në stafin e tij. Si Genc Ruli apo Arben Imami. Duket kemi të bëjmë me një marrëveshje të ndarjes së “plaçkës”, ku qartësisht ata nuk se e kanë kontestuar avancimin e familjes Berisha në kapjen e shtetit, por siç po duken bathët, edhe nuk po e mbrojnë.
Personazhi më tipik i çështjes është Arben Imami, shef kabineti në periudhën 2005-2009, e më pas ministër i Mbrojtjes. Ligjërisht dhe taktikisht ai është personi që ka kaluar në duart e tij të gjitha urdhrat, apo VKM-të që janë hartuar nga zyra e kryeministrit Sali Berisha.
Po përse hesht Imami? Duket qartë se kjo heshtje bërtet me të madhe se kemi të bëjmë me një vullnet ku ai nuk do të mbrojë as shefin e tij, as Abin që ka ndërtuar 17 kullat. Pasi në fund, duket se ai vetë nuk se ka marrë gjë. Megjithatë, si një person në dijeni të fakteve apo edhe bashkëpunëtor, pasi përgatit shkresat, a duhet të kishte folur. Thashethemet thonë se ai diku ka folur po ku? Kjo është enigmë e madhe, por tregon edhe një realitet politik që po e dëmton më shumë Sali Berishën sesa ndjekja penale ndaj tij. Ai është braktisur nga establishmenti që ka krijuar kur u bë kryeministër.
I vetmi autoritet i lartë që sot i del në krah është Jozefina Topalli, e cila në publik nuk ka një relevancë jo thjesht si personazh politik, por edhe si dëshmitare në çështjen në fjalë. Për shembull, Bamir Topi, President i Republikës, në kohën kur ndodhi ngjarja, ku sipas dëshmive ka inkurajuar ushtarakët për të ndaluar një privatizim të paligjshëm, duket se do të jetë aktor i ri në këtë skenë. Por, ka shumë të tjerë që mund të dalin. Fakti më i fortë që e shënon rastin “Partizani” është Fatmir Bektashi, kreu de jure i kompanisë, i cili është kthyer në denoncuesin kryesor të Malltezit, pikërisht sepse ky i fundit ka marrë të gjitha paratë e kësaj afere.
Me një fjalë, kur i merr të gjitha, mos prit që të kesh një mbështetje, përkundrazi. / Pamfleti
Lini një Përgjigje