
Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me deputetët më të rinj të grupit parlamentar të PS-së, në kuadër të “Akademisë Politike – Deputetët e Rinj”. Ky organizim synon të fuqizojë rolin e brezit të ri në Kuvend përmes formimit politik dhe përfshirjes aktive në agjendën legjislative.
Në fjalën e tij, Balla nënvizoi rëndësinë e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar se 83 mandatet e fituara nga Partia Socialiste përfaqësojnë një borxh të jashtëzakonshëm që duhet të shlyhet përmes punës dhe angazhimit real me qytetarët. “Populli shqiptar na besoi 83 mandate, të cilat duhet t’i konsiderojmë si një borxh për t’u shlyer. Në radhë të parë, duke mos u shkëputur nga komunitetet, por duke i dëgjuar dhe punuar më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe me diasporën shqiptare”, deklaroi ai.
Balla theksoi se ky është rinovimi më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në grupin parlamentar të PS-së, duke e quajtur një hap domethënës për rritjen e përfaqësimit dhe rinovimit të politikës. “Keni hyrë në politikë – ‘Welcome to the club’ – dhe si të tillë duhet të jeni të përgatitur për çdo sfidë dhe çdo kurth”, u shpreh Balla, duke vënë në dukje edhe rolin e rëndësishëm që PS ka pasur në mbështetjen e votës së diasporës.
Takimi u zhvillua në një atmosferë diskutimi të hapur, ku u theksua domosdoshmëria për një lidhje më të fortë midis përfaqësuesve të rinj dhe qytetarëve, si dhe rëndësia që ka formimi i vazhdueshëm në përballjen me sfidat legjislative dhe publike.
Lini një Përgjigje