Komisioni Evropian: KLSH, shembull i transparencës dhe luftës kundër korrupsionit në Shqipëri...
Në raportin më të fundit të Komisionit Evropian për sundimin e ligjit në Shqipëri, publikuar më 11 korrik 2025, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) renditet si një nga institucionet më të rëndësishme dhe më efektive në luftën kundër korrupsionit, krahas SPAK-ut. Vlerësimi për këtë institucion është bazuar në kontributin konkret gjatë vitit 2024, duke përfshirë referimin e rasteve me elementë penalë dhe kërkesat për hetime për një numër çështjesh të tjera.
Raporti thekson se ndryshe nga institucionet që shpesh kanë hezituar të bashkëpunojnë me drejtësinë, KLSH ka shfaqur një angazhim të qëndrueshëm dhe proaktiv. Ndërkohë që mungesa e koordinimit mes institucioneve të tjera mbetet një shqetësim i përsëritur, KLSH paraqitet si një model funksional, duke kontribuar në ndërtimin e mekanizmave efektivë të llogaridhënies dhe transparencës.
Institucioni ka preferuar të përqendrohet në forcimin e funksionit auditues dhe në rritjen e kapacitetit profesional, duke qëndruar larg debatit mediatik shpesh të zhurmshëm dhe të politizuar. Për të artikuluar një qëndrim të qartë institucional, kreu i KLSH-së, z. Arben Shehu, zgjodhi një moment simbolik: 25 maj 2025, ditën e 100-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.
Deklarata e bërë në këtë datë, tashmë konfirmohet edhe nga Komisioni Evropian si në përputhje të plotë me filozofinë institucionale të ndjekur nga KLSH: transparencë, profesionalizëm dhe pavarësi. Ky vlerësim e vendos KLSH-në në një pozicion qendror në sistemin e kontrollit dhe auditimit në vend, duke e dalluar si një faktor të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe integrimin evropian./Pamfleti
Lini një Përgjigje