Politike26 Shkurt 2024, 13:39

Aksioni i opozitës, Bardhi mbledh nesër Grupin Parlamentar të PD

Shkruar nga Pamfleti

Aksioni i opozitës, Bardhi mbledh nesër Grupin Parlamentar të PD

Kreu i grupit të opozitës, Gazment Bardhi ka njoftuar se do të mbledhë nesër Grupin Parlamentar.

Përmes një mesazhi drejtuar kolegëve të tij, Bardhi njofton se mbledhja është parashikuar që të nisë në orën 12:00, në selinë e PD.

“Nesër, e martë, ora 12:00, mbledhje grupi parlamentar në selinë e PD. Ju falënderoj!”, thuhet në mesazhin e Bardhit.

Kujtojmë se opozita ka vijuar aksionin e saj të bashkimit, ndërsa pas krijimit të Konfederatës opozitare, u mbajt dhe protesta e 20 shkurtit para kryeministrisë.

Aktualisht në tavolinë janë hedhur 3 propozime nga deputetë të ndryshëm. Ideja e parë është që kërkesat për komisionet hetimore parlamentare të ridërgohen përsëri dhe nga ana tjetër, nëse grupi do të vazhdojë apo jo aksionin e bllokimit të parlament, do të varet nga qëndrimi i Partisë Socialistë.

Propozimi i dytë, është ai i ngujimit të deputetëve të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, deri në plotësimin e kërkesave të PD-së së Rithemelimit. Ky propozim mbështetet nga një shumicë e deputetëve të opozitës.
Propozimi i tretë është veprimi me ekstrem, greve urie. Kjo ide mbështetet aktualisht nga disa deputete. Ndër ta Dashnor Sula, Bledjon Nallbati, Saimir Korreshi, Isuf Celaj.

Greva e urisë, nëse ndërmerret si hap, do të përfundojë vetëm me plotësimin e kërkesave të opozitës, që lidhen me ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare dhe zëvendësimin e anëtarëve të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Sesi do të vazhdojë aksioni i opozitës, pritet të vendoset këtë të martë.

Ndërsa opozita duket se nuk do të ndalojë as takimet në terren, të nisura nga Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, që para protestës së 20 shkurtit.