TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Tetor 2025, 09:58

Alabar, uzurpatori i Durrësit tani synon Ulqinin: skema e zhvatjes po zbret në ‘Shasko’

Shkruar nga Pamfleti
Alabar, uzurpatori i Durrësit tani synon Ulqinin: skema e zhvatjes po zbret
Mohamed Alabar /

Investitori arab Mohamed Alabar, i lidhur me pushtetin e Tiranës dhe projektin e kontestuar të Portit të Durrësit, tani synon të zbarkojë në Ulqin, në një plan të ri për të pushtuar edhe liqenin e Shaskos (Liqeni i Shasit) me projektin e radhës turistik, në një model të njohur korrupsioni dhe zhvatjeje të pasurive publike...

Kur Mohamed Alabar u shfaq si "shpëtimtar" i zhvillimit të Portit të Durrësit, propaganda zyrtare në Tiranë e paraqiti si një investim epokal, me kulla, jahte dhe milionerë që do sillnin zhvillim. Por, realiteti i atij projekti ishte një koncesion i errët, i dhënë pa garë, pa transparencë dhe në kundër interesave të ekonomisë kombëtare shqiptare.

Sot, e njëjta figurë, me të njëjtën kompani, po troket në portat e Malit të Zi, në një skenar që po ndjek të njëjtën logjikë zhvatjeje.

Lajmi se ‘Eagle Hills’, kompania e Alabar, ka zbarkuar në Ulqin për të ndërtuar një "qendër turistike-eko" pranë liqenit Shasko, u paraqit si mundësi zhvillimi, por pa asnjë transparencë mbi kontratat, planin financiar, apo ndikimin mjedisor dhe social. Për pak më shumë se 5 hektarë tokë, Alabar po synon të vendosë në kontrollin e tij një nga zonat më të ndjeshme ekologjikisht dhe simbolike për komunitetin shqiptar në Mal të Zi. Sikundër në Shqipëri, ku porti iu mor qytetarëve pa asnjë referendum apo konsultim publik, edhe në Ulqin, manovra po bëhet në heshtje dhe në bashkëpunim me disa pronarë lokalë, në kurriz të interesit të përgjithshëm.

Alabar nuk është investitor si të tjerët. Ai vepron atje ku shteti është i kapur, institucionet të dobëta dhe ku elitat qeveritare i shesin tokat publike në këmbim të kullave dhe luksit të momentit.

E nisi me Serbinë e Vuçiçit dhe projektin Belgrade Waterfront, ku qeveria i dha tokë publike në qendër të kryeqytetit pa transparencë.

E vazhdoi me Shqipërën e Ramës, duke futur duart në Durrës, portin më strategjik të vendit, dhe tani po shtrin tentakulat në Malin e Zi, me të njëjtin model, të njëjtën filozofi: marrje pa garë, ndërtim pa pyetur, dhe përfitim pa llogari.

Qëllimi nuk është turizmi, por kontrolli mbi territore strategjike në brigjet e Adriatikut. Nga Beogradi pa dalje në det, Alabar po avancon drejt vijës bregdetare shqiptaro-malazeze, në kërkimin e një "Shteti të Pasurive të Paluajtshme", ku pushteti politik i garanton tokën, dhe ai sjell financa të errëta dhe investitorë të padukshëm. Në Ulqin, ku historia, identiteti dhe natyra bashkohen, ky plan nuk është vetëm komercial, por edhe kolonizues. Një formë e re pushtimi, në të cilën betoni dhe kapitali zënë vendin e qytetarëve.

Koha për të ndalur Alabar është sot. Ky investitor nuk sjell zhvillim, por projekte të vdekura me kulla bosh dhe komunitete të dëbuara. Shqipërinë e ka zaptuar me ndihmën e qeverisë. Mos lejoni që Ulqinin ta ndajë në copa. Sepse, pas Shaskos, rradha do vijë për gjithë Adriatikun./Pamfleti

mohamed alabbar liqeni i shaskos ulqin porti i durresit

1 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Alabari është si Sulltan Sulejmani i madhërishëm. Zbarkon në Shqipëri, pastaj synon të rrëshqas drejt perëndimit. Sulltani zbarkoi me topa, Alabari me petrodollar. Atë që të mësyn me topa e qëllon me pushkë edhe me gur. Këtij me petrodollar po i hamë ..... .

    Lini një Përgjigje