Politike 4 Mars 2024, 15:14

Amnistia penale, Manja nuk tërhiqet: Nuk përfitojnë të dënuarit nga GJKKO

Shkruar nga Pamfleti

Amnistia penale, Manja nuk tërhiqet: Nuk përfitojnë të

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se mazhoranca nuk është tërhequr nga Amnistia Penale.

Në një prononcim për mediat pas Konferencës ndërkombëtare të organizuar sot për Llogaridhënie dhe Luftën Kundër Korrupsionit, ai deklaroi se  nuk do të përfitojë nga Amnistia asnjë person që është dënuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Tërë këto ditë për Amnistinë ka folur opozita dhe kur dëgjon vetëm njërën palë, të duket sikur u tërhoq mazhoranca nga Amnistia për veprat penale të korrupsionit të gjykuara nga GJKKO. Amnisti që s’do ketë jo e jo, por as ulje të dënimit për ata që janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar nga GJKKO”, tha Manja.

Gjatë fjalës së tij, ministri Manja tha se reforma në drejtësi shënoi një moment kthese epokale për vendin tonë.

“Sot nuk flasim më për një reformë në fazat fillestare, por për një sistem që prodhon rezultate duke i dhënë fund gradualisht pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Jemi veçanërisht krenarë që në Shqipëri po formësohet një reputacion i ri i institucioneve të sistemit të drejtësisë. Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar është provë e gjallë e një drejtësie që nuk mund të bënte drejtësi pasi ishte e kapur nga korrupsioni”, u shpreh ai.

Në këtë konferencë morën pjesë ministrat e Drejtësisë së Ballkanit Perëndimor dhe Kroacisë, Drejtues të Agjencive të Antikorrupsionit, prokurorë dhe organizata ndërkombëtare.