Politike 4 Mars 2024, 14:21

I sekuestruan ‘iPhone’, Meta hedh Kryemadhin në prangat e SPAK: S’mbaj përgjegjësi për asnjë person tjetër!

Shkruar nga Pamfleti
I sekuestruan ‘iPhone’, Meta hedh Kryemadhin në prangat e SPAK:
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një komunikim me gazetarët është pyetur sot lidhur me rekursin e bërë nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, ku i kërkon Gjykatës t'i kthejë 'iPhone' e sekuestruar.

Meta tha se nuk përfshihet në këtë çështje, pasi ai nuk mban përgjegjësi për asnjë njeri tjetër përballë ligjit.

Por nga ana tjetër, duke u përgjigjur për çështjet që prekin atë vetë, Meta tha se ato janë të fabrikuara nga mercenarët dhe zarat e Ramës.

“Nuk mbaj më përgjegjësi për asnjë njeri, për çdo sjellje në raport me ligjin.  Nëse deri dje thoja mbaj përgjegjësi vetëm për vajzën time edhe ajo tani i ka mbushur 18-vjeç. Ajo që dua t’ju siguroj  ju dhe shqiptarët, që sjellja ime në raport me ligjin ka qenë perfekte.

Janë mercenarët dhe zarat e Ramës që përpiqen të fabrikojnë dhe përdorin njerëz me krime të rënda që duhet të ishin në burg kundër Ilir Metës.

Çështja CEZ-DIA është regjistruar nga McGonigali. Çështja është regjistruar në dhjetor të vitit 2019. Ky është një moment mes manisfestimit të parë të paralajmëruar nga unë, si një mjet presioni kundër Presidentit të Republikës, që të pranonte betimet e faqezinjve”, tha Meta.

Monika Kryemadhi ka bërë rekurs ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Igerta Hysi, ku më 04.01.2024 nuk pranoi apelimin e Kryemadhit.

Kërkesa e Kryemadhit për t’ia kthyer celularin, u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, që e konsideroi përpjekjen gjyqësore të deputetes të pabazuar ne ligj dhe në prova.

SPAK po proceson dy hetime mbi çiftin Meta të bashkuara me një fraksion.

I pari lidhet me një kallëzim të depozituar në SPAK për akuzën e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes të të ardhurave. 

Një tjetër hetim është edhe ai i denoncimit në episodin e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohur ndryshe si lobimi 700 mijë dollarësh.

Në kallëzim thuhet se partia që drejtohej nga Ilir Meta, pagoi miliona për të lobuar për një fotografi me Donald Trump. Mes letërporosive të përcjella, SPAK po pret ende përgjigje nga Qipro dhe nga San Marino. Por në këto hetime që janë ende të fokusuara tek shkresat e te huajve, dhe kur bankat i kanë kopsitur përgjigjet për transfertat, maja e ajsbergut mbi këto çështje u bë e dukshme ditën kur deputetja Kryemadhi kërkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë, kthimin e iPhonit, që nuk u pranua nga të dyja gjykatat.

ilir meta monika kryemadhi