
Kur mazhoranca ka shumicë absolute dhe ligji bëhet mjet frike e jo drejtësie...
Edi Rama duket se për çdo gjë zgjidhjen e gjen te burgu. Edhe pse shqiptarët për 45 vite jetuan nën terrorin e burgut dhe internimit, duket se kryeministri po hedh hapat e parë të rikthimit të autoritarizmit.
Kodi i ri Penal, i prezantuar pak ditë më parë, nuk është thjesht një rishikim teknik i legjislacionit. Është një ndryshim filozofie: nga një ligj që duhet të ndërgjegjësojë dhe parandalojë, në një ligj që frikëson dhe ndëshkon. Në këtë Kod të ri, burgu është përgjigjja për gjithçka:
Kritikon gjyqtarin apo prokurorin? Burg.
Je gazetar dhe nxjerr një dosje hetimore? Burg.
Parkon keq makinën? Burg.
Nuk ke bërë kolaudimin e makinës? Burg
Dëmtohet gruaja në organet gjenitale? Burg
Bën dredhi në punë? Burg
Nxit dikë të emigrojë? Burg
Ky nuk është ligj për të ndërtuar ndërgjegje qytetare, por një ligj që e shikon qytetarin si të dyshuar të përhershëm. Nuk kemi të bëjmë me edukim, parandalim apo përgjegjësim, por me një logjikë të thjeshtë: “gabove, ha burg”.
Një shoqëri nuk ndërtohet kështu. Në një vend ku institucionet nuk kanë fituar besimin e qytetarëve, përdorimi i burgut si mjet universal është jo vetëm i kotë, por edhe i rrezikshëm.
Përse ndodh kjo tani? Sepse Edi Rama ka 83 mandate (shto 3 të Tom Doshit, 86) dhe nuk i duhet më askush për kompromis. Ky është sinjali i parë i autoritarizmit të tij të heshtur: kontrolli politik mbi jetën e përditshme të çdo qytetari, me ndëshkimin si gjuhë të vetme të shtetit.
Në vend që të luftojë bandat apo korrupsionin që po gërryen shtetitn, Kodi i ri krijon një shoqëri të frikësuar dhe të ndrydhur.
Ligji duhet të jetë edukues, parandalues dhe proporcional. Ky Kod, siç duket sot, është ndëshkues, i tepruar dhe potencialisht abuziv. Në duart e një shumice absolute parlamentare, ai rrezikon të kthehet në mjet kontrolli politik dhe shoqëror. Dhe kjo është shumë më tepër se një debat juridik, është një çështje demokracie. /Pamfleti
Lini një Përgjigje