
Gazeta “Ushtria”, mollë sherri mes Athinës dhe Tiranës
Greqia vijon të ‘fusë hundët’ te çështjet e brendshme të Shqipërisë.
Duke qenë se jemi në periudhë vere dhe mediat nuk kanë me çfarë të merren, në Greqi ka shpërthyer një debat lidhur me një publikim të bërë nga gazeta ‘Ushtria’, organi i Ministrisë së Mbrojtjes.
Në numrin e datës 18 korrik, kjo gazetë ka shkruar mbi Kongresin e Berlinit dhe ka publikuar një hartë të kufijve natyralë të Shqipërisë. Por për grekët një gjë e tillë është provokim dhe mediat kanë 2-3 ditë që sulmojnë dhe anatemojnë.
“Një hartë e madhe dhe e shëmtuar e Shqipërisë së Madhe që përfshin të gjithë Epirin, deri në Prevezë dhe Arta, prefekturat e Kosturit, Follorinës dhe Grevenas, disa pjesë të tjera të Maqedonisë Perëndimore dhe Korfuzin”, shkruanin mediat greke.
Sikur të mos mjaftonte kjo, dje ka reaguar edhe vetë qeveria greke, e cila bën me dije se i ka dërguar një notë proteste qeverisë shqiptare.
"Greqia thekson në çdo drejtim se publikime të tilla mund të krijojnë vetëm një përshtypje negative në një kohë kur përpjekjet për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve janë në vazhdim", tha zëdhënësi i qeverisë greke Pavlos Marinakis, i pyetur nga gazetarët.
Por skandali është se Ministria e Mbrojtjes është trembur dhe e ka hequr gazetën nga faqja e saj në internet. Nga një kërkim te faqja e Ministrisë së Mbrojtjes, ajo nuk ekziston.

Skandali merr përmasa edhe më të mëdha pasi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes është Pirro Vengu, me pasaportë greke. Ai kërkohet ende në Greqi për të kryer shërbimin ushtarak. Por duket se tani është vënë edhe në shërbim të Athinës, pasi është skandaloze që një ministri të heqë gazetën vetëm sepse janë acaruar disa media në Athinë apo edhe vetë qeveria greke. /Pamfleti
Lini një Përgjigje