
E pyetur nëse Serbia është e gatshme që të shtensionojë situatën në veri të Kosovës, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se në rrugën drejt komunitetit europian, nuk ka alternativë tjetër përveçse njerëzit të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin Igli Hasani dhe komisionerin Oliver Varhelyi, kryediplomatja gjermane shtoi se përpos faktit që jetesa në paqe me fqinjët është thelbësore, gjithashtu e rëndësishme është që të mos dërgohet ushtria në kufirin me fqinjin.
E pyetur, për reagimin e Serbisë, Baerbock solli në vëmendje se trupat në kufi janë reduktuar. Ministrja gjermane shtoi se po bëhen biseda me të gjitha palët e përfshira.
Po ashtu, ajo bëri të ditur, se vitin e ardhshëm, Gjermania do të shtojë kontributin e saj në trupat e KFOR-it.
“Në këtë pikë….rruga e suksesshme për qetësim është ajo e bashkëpunimit”, u shpreh Baerbock.
Për diplomaten gjermane, përgjegjësinë më të madhe e mban Policia e Kosovës, e cila mbështet në misionin e saj nga Eulex dhe KFOR.
Lini një Përgjigje