TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Shtator 2025, 14:03

Bardhi ‘godet’ Berishën nëpërmjet këshilltarit të tij: Kush kërkon koalicion për zgjedhje, në shërbim të Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Bardhi ‘godet’ Berishën nëpërmjet këshilltarit
Bardhi dhe Berisha

Dy ditë më parë, në një dalje mediatike, kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh se për emrin e kandidatit të Partisë Demokratike për zgjedhjet në Tiranë do të konsultohej edhe me partitë aleate, duke synuar një mbështetje sa më të gjerë.

Kjo gjë, me sa duket, nuk i ka pëlqyer Gazment Bardhit, i cili prej kohësh, sa herë që do të dërgojë ndonjë mesazh, përdor këshilltarin e tij, Marash Logun, për të sulmuar apo për të kritikuar.

Në një postim në rrjetin social facebook, Logu shkruan pikërisht për çështjen e koalicionit parazgjedhor të PD-së, duke u shprehur se këmbëngulja në një gjë të tillë, do të thotë të pranosh se nuk e mund dot kundërshtarin politik.

Madje, Logu shkon edhe më tej duke akuzuar të gjithë ata që kërkojnë koalicion parazgjedhor të PD-së, se janë duke i shërbyer Edi Ramës.

“Të kërkosh me këmbëngulje një koalicion parazgjedhor, do të thotë të pranosh se i vetëm nuk e mund dot kundërshtarin politik. Personalisht jam i mendimit që Partia Demokratike duhet të kandidojë e vetme në zgjedhjet e pjesshme apo të përgjithshme lokale pa humbur asnjë minutë për koalicione me subjekte që në rastin më të keq janë në shërbim të Edi Ramës dhe në rastin më të mirë nuk shtojnë asnjë votë.

Koalicioni i vetëm i Partisë Demokratike duhet të jetë me qytetarët dhe për këtë duhet të fillojë sa më shpejt puna për të përgatitur kandidatin, ekipin, programin dhe organizimin elektoral për zgjedhjet e pritshme në Bashkinë Tiranë dhe pesë bashkitë e tjera. Partia Demokratike dhe demokratët ia kanë dalë më parë dhe mund t'ia dalim sërish me punë, dije dhe qytetari.” – shkruan Logu.

 

bardhi ‘godet’ berishën nëpërmjet këshilltarit të tij

1 Komente

  1. A
    Ani

    Logu ka të drejtë. Berisha mos të fshihet,por të jetë i drejtë dhe i ndershëm. Ja psh. ("Unë"do të kandidojë për Tiranën duke më siguruar plotësisht se do kandidojë në 2027). Jam krejt i bindur se ka të paktën dy veta për të siguruar fitoren. Ata siguruan shumë vota në listë të hapur. Me njerëz të ndershëm Tirana del nga duart e PS.

    Lini një Përgjigje