
I gjithë procesi për shkarkimin e Veliajt nuk ka zgjatur më shumë se 48 orë, nga momenti i nisjes së procedurave ligjore nga Këshilli Bashkiak, përmes Komisionit të Ligjeve, deri në finalizimin e shkarkimit nga Edi Rama në mbledhjen e Qeverisë.
Erion Veliaj shkarkohet nga posti i Kryebashkiakut të Tiranës. Vendimi është zyrtarizuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Mbledhja e Qeverisë vjen dy ditë pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës propozoi shkarkimin e Veliajt, një vendim ky i dirigjuar nga Edi Rama. Si në të rralla raste, votat e këshilltarëve të PS-së dhe atyre të PD-së e aleatëve të saj, u bashkuan, duke çuar deri në fund skenarin e Kryeministrit Edi Rama për ‘asgjesimin politik’ të Erion Veliajt.
Vendimi 'konsensual' i këshilltarëve të PS-së e PD-së, bashkë me aleatët, u çertifikua me shpejtësi nga Prefekti i Tiranës, duke i çelur rrugën kështu marrjes së një vendimi të shpejtë nga Qeveria.
Mbledhja e sotme e Qeverisë u drejtua nga Edi Rama, edhe kjo një gjë e rrallë, pasi përgjithësisht ai ia delegon drejtimin e mbledhjeve zv.Kryeministrit/es.
Kjo ishte mbledhja e parë që Qeveria e re merr vendime nga momenti i votimit në Kuvend dhe më pas betimit të anëtarëve të saj para Presidentit.
I gjithë procesi për shkarkimin e Veliajt nuk ka zgjatur më shumë se 48 orë, nga momenti i nisjes së procedurave ligjore nga Këshilli Bashkiak, përmes Komisionit të Ligjeve, deri në finalizimin e shkarkimit nga Edi Rama në mbledhjen e Qeverisë.
Veliaj ka paralajmëruar se mund të ndjekë rrugën ligjore lidhur me procedurat e shkarkimit si Kryebashkiak, ndërsa ai ndodhet në qeli prej 10 shkurtit, ditë kur u arrestua me urdhër të SPAK.
Edi Rama e njoftoi vendimin për shkarkimin e Veliajt në 11 shtator, gjatë mbledhjes së Asamblesë, ku do të prezantonte ministrat e rinj, me të cilët do të niste mandatin e 4-t qeverisës. Në mënyrë të papritur, të paktën për anëtarët e Asamblesë, Rama deklaroi vendimin për shkarkimin e Veliajt si Kryebashkiak, duke udhëzuar këshilltarët e PS-së që t'a miratonin.
Dhe për t'a bërë fakt të kryer, Rama shpalli edhe kandidaturën e Ogerta Manastirliut, si kandidaten e PS-së në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës. Më pas Kryeministri nisi lojrat, duke thirrur në mbledhje Këshilltarët e PS-së, pas dyshimeve se ata mund të mos votonin apo mbështesnin ultimatumin e Ramës.
SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, 9 prej të cilave për korrupsion, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Dosja “Veliaj” u dërgua në GJKKO disa ditë më parë dhe tani kryebashkiakut të shkarkuar i duhet të përballet me drejtësinë në etapën finale dhe vendimtare për fatin e tij.
Akuzat rëndojnë edhe mbi bashkëshorten e tij Ajola Xoxa si dhe biznesmenët Gentian Sula, Elman Abule, Fatmir Bektashi, Shkëlqim Fusha, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu, të gjithë të lënë në detyrim paraqitje.
Lini një Përgjigje