
Kandidati për kreun e ri të PD-së Lulzim Basha vijon fushatën për zgjedhjet që do të mbahen në 29 korrik. Ai thotë se prioritet do të ketë hapjen e partisë për të rinjtë e të rejat që duan ndryshim.
Në një deklaratë për mediat, Basha shprehet se ndryshimet kushtetuese që propozon janë në interes të qytetarëve që deputetët të zgjedhin ata dhe jo bandat kriminale që sot kontrollojnë çdo strukturë të shtetit.
“Hapja e Partisë Demokratike ndaj të rinjve dhe të rejave është një nga prioritetet tona. Harmonizimi i frymës dhe pasionit të rinisë me përvojën dhe profesionalizmin e kontributorëve ndër vite, është një hap i rëndësishëm në riorganizimin që kemi nisur, për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë më të mirë.
Natyrisht pjesë e saj do të jenë të gjithë ata që duan ndryshim, që duan që për qeverisjen dhe deputetët të vendosin qytetarët dhe jo bandat kriminale që sot kontrollojnë shtetin, ekonominë, policinë, zgjedhjet, jetën e vendit”, shkruan Basha.
Ai shprehet gjithashtu se do krijojë aleancë politike e qytetare për t’iu kundërvënë frikës që ka pllakosur shoqërinë tonë.
“Ne do të krijojmë një aleancë të gjerë politike dhe qytetare, që frikës dhe pasigurisë që ka pllakosur shoqërinë tonë, t’i kundërvihet me shpresë dhe besimin se gjërat mund të ndryshojnë për mirë, duke i dhënë rëndësi votës së qytetareve, që nis me zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës.
Që zëri i qytetarëve të dëgjohet, vullneti i tyre të përfaqësohet dhe interesat e tyre të mbrohen, do punojmë fort që mekanizmat kushtetues të jenë në shërbim të tyre, duke hapur listat, pastruar politikën përmes veting-ut, kufizuar mandatin e kryeministrit, garantuar votën e diasporës, duke i dhënë më shumë kompetenca Parlamentit dhe Presidentit të Republikës, për të garantuar kontrollin dhe balancat e pushteteve”, përfundoi Basha.
Lini një Përgjigje