
Institucioni i Presidentit të Republikës është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese për të marrë pjesë me cilësinë e palës së interesuar në çështjen e kërkuar nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Gjykata Kushtetuese ka kërkuar nga palët që të parashtrojnë qëndrimin e tyre me shkrim për çështjen.
Lidhur me këtë kërkesë, Presidenti Bajram Begaj i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese pretendimet lidhur me rrëzimin e dekretit të tij, për zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë e Tiranës.
Në shkresën e drejtuar Kushtetueses, presidenti Begaj kërkon që kjo gjykatë të shpallë moskompetencë për dekretin e tij, që përcakton datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve.
Gjithashtu, Begaj i kërkon Gjykatës Kushtetuese që në seancën e datës 31 tetor të heqë masën e pezullimit të zgjedhjeve si dhe të rrëzojë ankimin e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj. Ndër të tjera, Begaj i kërkon Kushtetueses që të urdhërojë KQZ-në për të zhvilluar zgjedhjet në Tiranë.
“Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese: Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025; Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025; Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;
Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimi, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese”, thuhej ndër të tjera në shkresën e Begajt.
Lini një Përgjigje