TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Mars 2026, 13:31

Berisha: Adriana Kalaja u kërcënua me jetë nga Rama dhe Linda

Shkruar nga Pamfleti

Berisha: Adriana Kalaja u kërcënua me jetë nga Rama dhe Linda

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Adriana Kalaja, ka marrë kërcënime me jetë, të cilat ai i lidhi drejtpërdrejt me kryeministrin Edi Rama dhe bashkëshorten e tij, Linda Rama.

Sipas Berishës, kërcënimet ndaj Kalasë kanë nisur prej më shumë se një muaji dhe lidhen me paditë që ajo ka depozituar në SPAK ndaj kryeministrit dhe bashkëshortes së tij për çështje që ai i cilësoi si “afera korruptive”.

“Prej një muaji a më shumë, Adriana Kalaja ka marrë kërcënime me vdekje për paditë që i ka bërë Ramës dhe Linda Ramës në SPAK”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se, ndonëse policia ka referuar rastin në Prokurori pas kallëzimit të bërë nga Kalaja, sipas tij çështja nuk ka avancuar.

“Është bërë një muaj dhe dosja fle në Prokurorinë e Tiranës dhe nuk është hapur asnjë çështje zyrtare”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha përdori gjithashtu akuza të forta, duke pretenduar ekzistencën e një “vrasësi digjital me pagesë”, për të cilin tha se është i mbrojtur nga kryeministri.

“Faqja në web e vrasësit digjital me pagesë të Ramës është e hapur… ai nxit vrasës digjitalë të kërcënojnë me jetë qytetarët”, tha ai.

Berisha paralajmëroi se çdo incident i mundshëm ndaj Adriana Kalasë do të mbajë përgjegjës kryeministrin. “Çdo incident me zonjën do ta paguaj ai vetë”, u shpreh ai.

 

kreu i partisë demokratike sali berisha adriana kalaja

Lini një Përgjigje