Politike25 Qershor 2024, 16:02

Berisha bën lëvizjen e fundit për të shpëtuar mandatin, më 9 korrik Gjykata e Lartë vulos lirimin ose jo nga banesa

Shkruar nga Pamfleti

Berisha bën lëvizjen e fundit për të shpëtuar mandatin,

Sali Berisha ka kthyer sytë nga Gjykata e Lartë për të shpëtuar mandatin e deputetit. Praktikisht ai ka 6 muaj që nuk shkon në Kuvend dhe sipas Kushtetutës mandati duhet t’i hiqet. Pavarësisht makinacioneve dhe lojës që po bën Rama, kjo çështje ka gjasë të përfundojë në Kushtetuese, e cila do të bëjë interpretimin final.

Por teksa asgjë nuk i dihet, Berisha duket se shpresën e fundit e ka te Gjykata e Lartë. Më 9 korrik kjo e fundit do të vendosë në mënyrë përfundimtare nëse do të dalë apo nga arresti shtëpiak Berisha bashkë me dhëndrin e tij. Të dy kanë ankimuar vendimin e Apelit, i cili rrëzoi kërkesat e tyre. Tani duket se pritet fjala e shkallës më të lartë të gjyqësorit.

Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.

Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.

Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi; 

Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi;

Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti