Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, për përfshirje në çështjen e laboratorit të Xibrakës.
Gjatë një konference për mediat, Berisha deklaroi se sipas dëshmive të dhëna në prokurori, Olsi Rama dyshohet se ka ndihmuar në largimin jashtë vendit të Genti Xhixha, të cilin ai e cilësoi si drejtues të një grupi të trafikut të kokainës në Xibrakë.
“Olsi Rama sipas dëshmive në prokurori është njeriu që përcolli jashtë shtetit Genti Xhixhën, bosin e grupit të Xibrakës. Pra në çdo përpjekje të Edi Ramës, ai vetëm se vetë demaskohet më shumë. Rama është vetë droga, është vetë kartel droge. Nuk ka kryeministër tjetër në Evropë që tu ketë thënë trafikantëve miliona metër katror troje publike, Shqipëria sot është lavatriçja më gjigante e kontinentit të parave të drogës”, tha Berisha.
Sipas dosjes së prokurorisë, Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.
Sipas denoncimeve të bëra edhe me herët nga kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.
Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion më herët nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës.
E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014.
Lini një Përgjigje