TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Dhjetor 2025, 19:13

Berisha në Mirditë: Motra e Tërmet Peçit mori 60 milionë euro tenderë, veriu i lënë në mjerim nga Rama

Shkruar nga Pamfleti

Berisha në Mirditë: Motra e Tërmet Peçit mori 60

Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar turin e tij me “Foltoren” në Mirditë, ku ka artikuluar akuza të rënda ndaj qeverisë dhe vetë kryeministrit Edi Rama për diskriminim sistematik dhe të qëllimshëm ndaj veriut të vendit. Në një takim me qytetarë dhe mbështetës në këtë zonë historikisht antikomuniste, Berisha vuri në qendër të kritikës jo vetëm shpërfilljen ekonomike të qeverisë ndaj Mirditës, por edhe korrupsionin e hapur në jug, konkretisht në bashkinë e Tepelenës.

Duke marrë shkas nga një investigim mediatik të publikuar pak ditë më parë, Berisha tha se motra e kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, ka përfituar së bashku me të afërm të tij mbi 60 milionë euro tendera publike. Sipas tij, kjo shumë tejkalon shumën e përgjithshme të investimeve që janë dhënë për të gjitha bashkitë e veriut në katër vite të fundit. “Ju garantoj se të gjitha bashkitë e veriut të marra së bashku nuk kanë marrë 60 milionë euro nga kjo qeveri. Ndërkohë që vetëm një familje në jug i merr përmes tenderëve me letra në xhep”, u shpreh Berisha.

Në fjalën e tij, ish-kryeministri e quajti këtë situatë një shpërndarje armiqësore dhe kriminale të pasurisë publike, ku veriu, që kontribuon realisht në prodhimin e brendshëm bruto, përjashtohet plotësisht nga investimet dhe zhvillimi. Ai përmendi projekte të lëna në mes si Rruga e Arbrit dhe mungesën e theksuar të mbështetjes për zonat si Mirdita, Kukësi, Tropoja dhe Dibra. “Rruga e Arbrit u zvarrit për 14 vite për vetëm 27 kilometra, ndërkohë që në Tepelenë tenderat rrjedhin me shpejtësinë e ujit në Vjosë”, – ironizoi Berisha.

Por më shumë sesa thjesht diferencim buxhetor, Berisha i dha tone të rënda politike deklaratës së tij, duke e cilësuar Edi Ramën si “armik gjenetik të veriut”, një vijë ideologjike që sipas tij buron nga mentaliteti enverist. “Enver Hoxha pushkatoi e burgosi mijëra mirditorë për burrërinë e tyre antikomuniste, por kurrë nuk e përçmoi kaq haptazi veriun sa Rama. Ky e ndal kohën për Shkodrën, Peshkopinë e Tropojën, ndërkohë që e shpërblen klientelën në jug me miliona”, tha ai.

Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur tensioni mes qeverisë dhe opozitës po rritet, ndërsa akuzat për korrupsion të lidhur me tendera publikë dhe abuzime familjare në bashki janë shtuar ndjeshëm. Nëse verifikohen, shifrat e përmendura do të përbëjnë një tjetër skandal të rëndë në listën e gjatë të abuzimeve me fondet publike që shoqërojnë qeverisjen aktuale.

Lini një Përgjigje