Politike13 Prill 2024, 20:40

Berisha: “Skapi” i partisë dhe gjykatat janë mburoja e vjedhjeve më të mëdha të qeveritarëve

Shkruar nga Pamfleti

Berisha: “Skapi” i partisë dhe gjykatat janë mburoja e

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur në tubimin e përnatshëm qytetar poshtë banesës së tij, tha se SPAK-u dhe gjykatat janë bërë mburojë e vjedhjeve më të mëdha në histori.

Sipas Berishës, për këtë arsye ka ardhur koha për një betejë pa kthim.

Ai tha se zgjidhja e vetme është mosbindja civile.

“Çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë dëshmon dhe provon rëndësinë jetike, vendimtare të betejës tuaj pa kthim, të mosbindjes civile për fatin tonë, për fatin e shqiptarëve, për fatin e Shqipërisë.

Vetëm mosbindja civile miq është arma më e fuqishme që dridh narkoshtete dhe narkodiktatura.

Përndryshe të duket se sa më shumë që ne bërtasim, aq më shumë ata vjedhin, aq më shumë ata dhunojnë liritë tonë, aq më shumë ata trashin lidhjet me krimin dhe drogën.

Çdo ditë zbulohen skandale dhe superskandale sikur ne të mos ishim qenie njerëzore, sikur ne të mos ishim shqiptarë.

Ndaj dhe koha ka ardhur për betejë pa kthim”, tha Berisha.

Sipas Berishës, çdo ditë po dëgjojmë për vjedhje të mëdha shtetërore ndërkohë që institucionet e drejtësisë po i mbrojnë.

“Të dashur miq, çdo ditë dëgjoni se si nga pushtetarët, familjarët e tyre vidhen nga arka e shtetit, nga taksat publike, nga pasuritë publike dhjetëra, qindra milionë euro.

Çdo ditë dëgjoni lajme se si trafikantët shpallen investitorë strategjikë.

Se si lirohen nga gjykata dhe Skapi.

Çdo ditë dëgjoni se si Skapi i partisë dhe gjykatat e tij janë një mburojë e tmerrshme e vjedhjeve më të mëdha në histori të qeveritarëve shqiptarë”, tha Berisha.

sali berisha spak vjedhje