Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka dhënë një sërë mesazhesh në konferencën për shtyp me kryeministrin Rama...
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dërguar një mesazh të qartë për të korruptuarit. Drejtësia është një nga reformat për të cilat SHBA nuk negocion dhe Blinken e ka bërë të qartë sot në takimet që ka pasur në Tiranë.
Sekretari i Shtetit pati një takim të shkurtër me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe përfaqësues të drejtësisë, teksa në konferencën për shtyp me Ramën e bëri të qartë se drejtësia për ta është kyçe. Ai tha se reforma po ecën dhe amerikanët do ta mbështesin deri në fund.
“Reforma në drejtësi nuk ka qenë e thjeshtë dhe e shpejtë. Kemi filluar të shohim dhe rezultate. Jam takuar me prokurorë e gjyqtarë dhe është me rëndësi që anëtarët e krimit të organizuar janë duke shkuar në procese gjyqësore dhe ky proces po ecën. Ne do e mbështesim Shqipërinë në këto hapa”, tha ai.
Në konferencën e përbashkët për shtyp ai vlerësoi rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Blinken tha se si aleatë kyç në NATO apo në Këshillin e Sigurimit në OKB, ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm partneriteti.
“Ky partneritet mes dy vendeve tona është më i fortë seç ka qenë ndonjëherë dhe marrëdhënia për ne kritike për të adresuar disa çështje, që janë vendimtare për dy popujt tanë dhe kjo është një rrugë me dy kalime. Jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin, dhe si aleat kyç i NATO dhe një zë kyç në Këshillin e Sigurimit të OKB, ne kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme me Shqipërinë”, tha ai.
Blinken tha se në fokus të bisedës ka qenë edhe Ukraina. Sipas tij situata atje është me rëndësi për të gjithë. Po ashtu në fokus ka qenë edhe siguria, teksa vlerësoi mbështetjen për Ukrainën.
“Kemi folur edhe për shumë çështje dhe sfida me të cilat përballemi dhe jemi përqendruar në atë që jemi duke bërë për të nxitur përpara sigurinë. Shqipëria ka qenë mbështetëse e fortë e Ukrainës, ka qenë vendi i parë që ka dërguar ndihma ushtarake, armë dhe municione. Aktualisht është një nga 10 kontribueset kryesore për të ardhura për frymë për Ukrainën. Gjithashtu po flasim për partneritetin e sigurisë mes vendeve tona”, tha Blinken.
Ai përmendi bazën e Kuçovës, ku tha se të gjithë anëtarët e NATO do të angazhohen për të mbrojtur secilin prej vëndeve anëtare. Blinken tha se baza ajrore do të inaugurohet shumë shpejt.
“Kemi pasur mundësinë të diskutojmë shumë çështje. Jemi përqendruar tek ajo që mund të bëjmë për të dërguar përpara sigurinë. Shqipëria ka qenë e para që ka ngritur dorën për të ndihmuar Ukrainën. E para që i ka çuar ndihma ushtarake. Aktualisht, është një nga 10 kontribueset kryesore në ndihmat për Ukrainën.
Përgjatë 15-viteve të saj, Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën. Muajin e ardhshëm, Shqipëria do të përurojë bazën ushtarake në Kuçovë. Aleatët tanë, që janë 30 e që së shpejti do bëhen 32, kanë vullnetin e hekurt që të ndihmojnë njëri-tjetrin. Aleanca jonë është më fortë, për shkak të begatisë që bashkëndajmë, jemi të lumtur që Shqipëria vazhdon të bëjë pjesën e saj”, tha ai.
I pyetur, nëse do të ketë edhe bazë detare të NATO-s në portin e Durrësit, Blinken u përgjigj se është folur me Ramën dhe për këtë gjë.
“Është e rëndësishme të nënvizojmë se ka kaluar 15-vite që kur Shqipëria është bërë aleate e NATO. Do të përurohet vetëm pak javë më pas. Theksojmë angazhimin që Shqipëria ka bërë. Për bazën detare, është diçka që e kemi diskutuar”, tha ai.
Blinken përmendi sulmin kibernetik dhe mbështetjen ushtarake të SHBA për vendin tonë. Po ashtu ai falënderoi mikpritjen për afganët. Ai u ndal dhe te drejtësia, ku tha se reforma në drejtësi është kyçe për ta, duke dërguar një mesazh te të korruptuarit dhe armiqtë e reformës në drejtësi. /Pamfleti
Lini një Përgjigje