
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi shfaqi mjaft kritika ndaj socialistëve, duke i akuzuar se po tentojnë të zvarrisin sa më gjatë mbledhjen...
Edi Rama po mundohet me “mish e me shpirt” të mos lëshojë Olta Xhaçkën. Ndonëse sot kjo e fundit duhej të ishte larg Parlamentit, falë manovrave të PS gëzon ende mandatin e deputetes.
Burri i saj, Artan Gaçi ka dalë investitor strategjik dhe ka përfituar prona në bregdet. Një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjin, pasi është konflikt i pastër interesi. Për këtë arsye, PD në verën e vitit që lamë pas kërkoi që Olta Xhaçkës t’i hiqet mandati i deputetes. PS e zvarriti procesin dhe në fund e refuzoi. Por Kushtetuesja i dha goditje të fortë, pasi deklaroi se Kuvendi është i detyruar që ta përcjellë në gjykatë dhe vendos kjo e fundit nëse kemi të bëjmë apo jo me konflikt interesi.
Pas shumë javësh vonesa, sot u mblodh Këshilli i Legjislacionit për të diskutuar mbi vendimin e Kushtetueses, por sikundër pritej, PS nisi nga manovrat për të mbajtur sa më gjatë në detyrë Xhaçkën.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi shfaqi mjaft kritika ndaj socialistëve, duke i akuzuar se po tentojnë të zvarrisin sa më gjatë mbledhjen. Madje sipas tij, ata duan të përfitojnë nga pagesat që marrin për çdo mbledhje.
“Çdo anëtar i Këshillit të Legjislacionit ka lexuar vendimet dhe del në konkluzion. Nuk jemi të pika 3 që do paraqesim raport. Jemi në pikën 5. Do e mbajmë vetë iniciativën për këto ndryshime, apo do ia çojmë nismëtarit. Jemi në tejkalim të afatit 30-ditor që përcakton rregullorja dhe nuk kemi asnjë minutë për të humbur. Çfarë nevoje ka këtu për të caktuar relator? Çfarë po bëni, s’kemi pse të zgjasim një procedurë që mund ta mbyllim që sot. Të marrim rroga dhe shtesa kot për sa herë që mblidhemi në Kuvend. Thuajeni që keni nevojë për ato para shtesë dhe ja, u bë. Po mbani përgjegjësi për taksat e qytetarëve”, tha ai.
Por përfaqësuesja e PS, Klotilda Bushka u shpreh se do dy javë kohë të shqyrtojë vendimin dhe u vendos që mbledhja e radhës të mbahet më 29 mars. Me shumë mundësi edhe në këtë datë do të ketë zvarritje dhe nuk është çudi që PS të tentojë ta shpëtojë Xhaçkën derisa të shpërndahet Parlamenti për pushimet e verës.
Pak javë më parë, shumica e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese i dhanë të drejtë kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës, duke i rrëzuar si antikushtetuese vendimet e Kuvendit për dy raportet e Këshillit të Mandateve lidhur me mandatin e Xhaçkës.
Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi vendosi të mos miratojë raportin e pakicës parlamentare dhe të miratojë atë të shumicës për çështjen Xhaçka.
“Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi,” thuhet në vendimin e shumicës.
Mendimi i pakicës kundër në vendim përfaqësohej nga anëtarët Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska. Sipas arsyetimit të Bejtjes, kërkesa e 1/10 së deputetëve duhej të rrëzohej, pasi i heq gjykatës mundësinë për të vlerësuar në themel çështjen në bazë të kërkesës së 1/5 së deputetëve. Bejtja argumenton më tej se ky mekanizëm është mënyra e vetme për të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues, në rast se Kuvendi nuk vepron në përputhje me detyrimin kushtetues.
Ndërsa dy anëtarët Sandër Beci dhe Ilir Toska kundërshtuan vendimin për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes 1/10 e deputetëve dhe Kuvendit, pasi sipas tyre 1/10 e deputetëve nuk legjitimohet për fillimin e një gjykimi kushtetues për këtë çështje.
Në vendimin e dytë, Gjykata Kushtetuese nuk pranoi të shqyrtonte në themel “konstatimin e papajtueshmërisë së deputetes Olta Xhaçka”, e kërkuar nga 1/5 e deputetëve demokratë, duke argumentuar se gjykata aktivizohet vetëm me kërkesë të Kuvendit.
“Për sa kohë që ky i fundit nuk ka vendosur për dërgimin e çështjes në Gjykatë, juridiksioni i saj për konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shkelje të ndalimeve sipas pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, nuk është aktivizuar”, thuhet në vendim. /Pamfleti
Lini një Përgjigje