Politike 4 Nëntor 2023, 19:22

Buxheti për 2024-ën, deputeti i PD: Qeveria 10 mln euro më shumë për koncesionet e goditura nga SPAK, në krye të listës ‘Rruga e Arbrit’

Shkruar nga Pamfleti

Buxheti për 2024-ën, deputeti i PD: Qeveria 10 mln euro më

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka komentuar relacionin për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Sula shkruan se qeveria edhe kësaj radhe do të vazhdojë të mbushë me para koncesionet që janë goditur nga SPAK. Ai rëndit të gjithë koncesionet e faktuara korruptive, të cilat sipas tij, do vijojnë të financohen edhe gjatë 2024-ës.

Më tej, ai thekson se qeveria ka parashikuar edhe 10 milionë euro shtesë për koncesionet vitin e ardhshëm, ndërsa në krye të listës sipas tij është Rruga e Arbrit. Për shkak të dëmtimeve nga reshjet e shiut gjatë ditëve të fundit, Sula thekson se kjo tregon sa shumë është vjedhur.

“Qeveria do vazhdojë të mbush me para koncesionet që janë goditur nga SPAK.

135 milionë euro nga taksat që paguajn qytetarët shqiptarë, qeveria ka planifikuar që tja japë miqve të vet që kanë marrë konçesione ndonëse disa prej tyre janë faktuar si korruptiv nga SPAK.

“Për vitin 2024, pagesat vjetore neto që parashikohet të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare/PPP, kapin vlerën rreth 14.3 miliardë lekë,” thuhet në relacionin e projektbuxhetit 2024.

Pra qeveria jo vetëm që nuk anulon pagesat për koncesionet që janë faktuar tashmë nga Prokuroria e Posacme si korruptive, por rrit edhe më shumë buxhetin për të pompuar miliarda lekë tek miqtë e vetë. 10 milionë euro më shumë se ky vit janë parashikuar vitin e ardhshëm për koncesionet.

Në krye të listës, si koncesioni që do të marrë më shumë para nga buxheti qëndron rruga e Arbrit e cila nëse shohim lajmet sot kuptojmë se sa shumë para janë vjedhur pasi rruga është e prishur dhe me shumë problematika.

Në vendin e dytë, renditet një tjetër koncesion i shumëpërfolur. Bëhet fjalë për kontratën koncesionare të laboratorëve. Për vitin 2024, qeveria do të paguajë 1.85 miliardë lekë për bashkimin e kompanive koncesionare të shërbimit laboratorik, që kryesohet nga Labopharma e Janis Karathanos.

Më poshtë në vendin e tretë renditet një tjetër kontratë e shpallur si aferë korruptive me vendim gjykatë. Bëhet fjalë për koncesionin e sterilizimit, i cili vitin e ardhshëm do të paguhet plotë 1.76 miliardë lekë ose rreth 16.7 milionë euro.

Në vendin e katërt dhe të pestë renditen koncesioni i skanimit në dogana dhe ai i inceneratorit të Tiranës, të cilat do të marrin respektivisht nga 1.67 miliardë dhe 1.27 miliardë lekë.

Është e qartë pra të dashur qytetarë se përse refuzon kjo mazhorancë të miratojë kërkesat e opozitës për komisionet hetimore. Janë miliarda para dhe humbasin dhe rrezikohen vite e vite burg.

Ndaj ne jemi të vendosur që në Kuvend, në Parlament nuk do të ketë jetë legjislative normale pa dhënë atë që opozitës ia garanton Kushtetuta. Komisionet hetimore për të çuar para përgjegjësisë çdo person që abuzon me paratë e taksapaguesve shqiptarë", shkruan Sula.

buxheti deputeti i pd qeveria koncesione spak rruga e arbrit