Politike 5 Maj 2023, 19:55

Celibashi amniston Ramën për shpërblimin e pensionistëve

Shkruar nga Pamfleti

Celibashi amniston Ramën për shpërblimin e pensionistëve

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, vendosi të premten që të pushojë hetimin administrativ ndaj Këshillit të Ministrave lidhur me shpërblimin prej 5 mijë lekësh për pensionistët në prag të zgjedhjeve lokale.

“Nuk jemi në kushtet e shkeljes së Kodit Zgjedhor, për më tepër që në rastin konkret flitet për një vendimmarrje për të cilën fondet janë përcaktuar në ligjin për buxhetin dhe programin buxhetor të qeverisë,” tha Celibashi, duke lajmëruar pushimin e shqyrtimit administrativ për kërkesën për sanksion ndaj Këshillit të Ministrave dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.

Qeveria vendosi të akordonte në fund të muajit prill një shpërblim prej 5 mijë lekësh për të gjithë pensionistët, pavarësisht qëndrimit të disa organizatave se kjo sjellje binte ndesh me Kodin Zgjedhor dhe po përdorej për të ndikuar zgjedhjet në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Denoncimi pranë KQZ-së u bë nga organizata “Qëndresa Qytetare”, e cila kërkoi marrje të masës administrative ndaj qeverisë për shkelje të Kodit Zgjedhor që ndalon përdorimin e burimeve publike në fushatë elektorale.

Në një mbledhje të mëparshme, Këshilli i Ministrave argumentoi se akti ishte në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe se nuk binte në kushtërshtim me asnjë prej pikave të tij dhe se vendimi ishte planifikuar në planin buxhetor të qeverisë.

Këshilli i Ministrave solli si provë relacionin shoqërues të vendimmarrjes, ku thuhet se efekti financiar është parashikuar në buxhetin e qeverisë për vitin 2023.

Ndërsa hetimi administrativ i KQZ-së doli në konstatimin se “Kodi Zgjedhor nuk ka ndalim specifik për miratimin e akteve për kategori të caktuara të popullsisë në rastin e zgjedhjeve vendore”.

Përdorimi i burimeve njerëzore dhe fondeve publike për fushatë zgjedhore është një nga problematikat më të mëdha të proceseve zgjedhore në Shqipëri. Pavarësisht ndalimeve me ligj, partia në pushtet është kritikuar në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve se ka përdorur asetet publike në funksion të fushatës partiake. /BIRN

rama celibashi pensionistet