TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Dhjetor 2025, 14:09

Debate në Komisionin e Reformës Zgjedhore/ PS e hapur për propozime, PD kërkon diskutim gjithëpërfshirës  

Shkruar nga Pamfleti

Debate në Komisionin e Reformës Zgjedhore/ PS e hapur për

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore është mbledhur sot, ku palët politike prezantuan qëndrimet e tyre për ndryshimet e mundshme në ligjin zgjedhor. I pari që mbajti fjalën ishte bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, i cili theksoi se Partia Socialiste është e hapur për të dëgjuar propozimet e të gjitha palëve.

Gjiknuri nënvizoi rëndësinë e depolitizimit të administratës zgjedhore dhe theksoi se nga praktika e vitit 2020 mund të ketë ndërhyrje që normalizojnë procesin, duke përfshirë edhe sanksione të përfshira në Kodin Penal për krime zgjedhore. “Ne kemi masa shumë të ashpra për sa i përket krimeve zgjedhore, por jemi të hapur ndaj çdo ideje që adreson shqetësimet e ngritura lidhur me zgjedhjet. Synimi ynë është që brenda mandatit që na ka dhënë Kuvendi, brenda qershor-korrikut 2026, të kemi rezultate konkrete”, tha Gjiknuri.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kritikoi ashpër administratën publike, duke e përshkruar atë si “basen votash për partinë në pushtet” dhe si një rrjet patronazhimi që ka pushtuar zgjedhjet. Ai u mbështet në raportet e OSBE/ODIHR-it, sipas të cilave shteti është kthyer në aktor kryesor në procesin zgjedhor. “Përdorimi i administratës publike shkon përtej mjeteve materiale; ai shndërrohet në një rrjet të plotë patronazhimi. Kjo duhet të jetë prioriteti kryesor i debatit tonë”, tha Bylykbashi.

Ai kujtoi se Marrëveshja e 5 qershorit 2020 solli një amendim total të Kodit Zgjedhor dhe se çdo diskutim aktual duhet të jetë i plotë, duke përfshirë të gjitha aspektet dhe jo vetëm rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. “Diskutimet duhet të jenë 360 gradë; temat nuk mund të trajtohen të shkëputura. Qasja jonë duhet të jetë gjithëpërfshirëse,” shtoi ai.

Komisioni do të vazhdojë mbledhjet e tij me qëllim hartimin e propozimeve për ndryshime ligjore që synojnë një proces zgjedhor më transparent dhe të paanshëm.

1 Komente

  1. A
    AAA

    Ky Bylyk-Bashi duket qe nga emri se ca placke eshte. Turp PD qe nga njera ane ankohet nga ana tjeter bejne marrveshjen e rradhes. Nuk ka zgjedhje te lira ne se partite PD e PS nuk ddeklarojne fondet e financimit te fushates nga krimi,korupsioni e oligarket. Kjo eshte e vetmja baze per mos vjedhje e manipulim.

    Lini një Përgjigje