Puna e Kuvendit do të zgjasë deri në korrik dhe gjatë këtyre 5 javëve, fokusi pritet të jetë te raportimi i institucioneve të pavarura. Padyshim, vëmendja më e madhe do të jetë te SPAK...
Pas gati 2 muajsh “pushimesh”, deputetët do të rikthehen te karriget e tyre në Parlament. Në fund të marsit dyert e Kuvendit u mbyllën për shkak të fushatës zgjedhore, por tani që gjithçka mbaroi dhe për 5 javë, deputetët aktualë do të vijojnë punën.
Duhet theksuar se 83 prej emrave aktualë nuk do të jenë më deputetë në legjislaturën e re. Ndryshimi më i fortë ka ndodhur në grupin parlamentar të PS, nga i cili 45 deputetë nuk do të jenë më pjesë e Parlamentit. Ndërkohë duhet theksuar se nga shtatori do të mungojnë emra si Basha, Alibeaj, Majko, Kodheli, Duka, Shehi.
Seanca nesër do të mbahet në orën 12:00 dhe nuk ka asnjë projektligj në rend dite. Megjithatë priten debate nga ana e opozitës, e cila akuzon Partinë Socialiste për vjedhjen e zgjedhjeve.
Puna do të zgjasë deri në korrik dhe gjatë këtyre 5 javëve, fokusi pritet të jetë te raportimi i institucioneve të pavarura. Padyshim, vëmendja më e madhe do të jetë te SPAK dhe Altin Dumani. Me nisjen e punës nesër, pritet të caktohen datat e raportimeve dhe pritet që Dumani të “japë llogari” fillimisht te Komisioni i Ligjeve e më pas në seancë plenare.
Kjo pritet të jetë përballja e fundit e Dumanit me politikën, pasi ky vit sjell ndryshime të mëdha në kupolën e SPAK. Altin Dumani mbyll mandatin si kryetar në dhjetor dhe ligji nuk i jep të drejtë të garojë më.
Duhet theksuar se përballë Dumanit, do të jenë disa emra që janë me dosje në SPAK duke filluar nga Sali Berisha, Fatmir Mediu, Flamur Noka, Luan Baçio, Asllan Dogjani, Olta Xhaçka, etj.
Raportimi i tij vjen në një kohë kur shihen tensione mes mazhorancës dhe SPAK. Pak ditë më parë qeveria i dha një sërë rekomandimesh Prokurorisë së Posaçme dhe kjo solli përplasje mes Dumanit dhe ministrit të Drejtësisë. Ndërkohë, një nga çështjet që Dumani pritet të ngrejë gjatë raportimit është se cili do të jetë fati i prokurorëve të SPAK.
Prej vitesh, ai ka dorëzuar një kërkesë në Kuvend, ku kërkon që prokurorëve të SPAK t’u jepet e drejta e kandidimit për një tjetër post. Ligji aktual u jep atyre mandat 9-vjeçar pa të drejtë kandidimi. Dumani ka kërkuar të hiqet ky kufizim, por deri më sot nuk e ka dëgjuar kush. Një tjetër kërkesë, e ardhur nga BE, është që kreut të SPAK t’i jepet e drejta të kërkojë një tjetër mandat si drejtues. Edhe kjo gjë nuk është përfillur nga mazhoranca. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë pas shtatorit, pasi ka zëra se Rama do të fusë në lojë komisionin “Xhafaj”, për të dubluar SPAK. /Pamfleti
Lini një Përgjigje