
Ndërsa Donald Trump e trajton politikën e jashtme si biznes privat, Evropa ngrihet si një mur i ftohtë racionaliteti ndaj aventurave të rrezikshme trumpiane në raport me Rusinë dhe Ukrainën...
Donald Trump nuk ka qenë kurrë i lehtë për t’u lexuar. Çdo përpjekje për ta kuptuar përfundon në mjegull, pasi ai kalon nga qëndrime të forta në lëvizje të buta, nga kërcënime në përqafime, nga deklarata të egra në heshtje taktike. Por në këtë kaos ka dy pika që mbeten të qëndrueshme: tregjet dhe Evropa.
Wall Street-i është bërë freni i parë ndaj Trumpizmit të shfrenuar. Sa herë që presidenti ish-biznesmen tenton të luajë me flakën e destabilizimit ekonomik (si në rastin e tarifave ndaj Kinës), tregjet reagojnë dhe Trump detyrohet të tërhiqet. Biznesi e frenon aventurën.
Freni i dytë është më pak i dukshëm, por shumë më i rëndësishëm për fatin e botës: është Evropa. Nga përçmimi që Trump i bëri NATO-s, deri tek etiketimi i Zelenskyt si “diktator”, Evropa nuk u tërhoq. Përkundrazi, ajo e mori seriozisht kërcënimin dhe u organizua. Fillimisht për të ruajtur unitetin, më pas për të mbështetur Ukrainën me armë, para dhe diplomaci.
E nëse sot flitet për dërgimin e armëve të rënda pa kufizime në Kiev, kjo nuk ndodh për shkak të ndonjë kthjellimi të papritur të Trump, por sepse Evropa e bëri presionin e saj. Sepse Britania, Franca, Gjermania dhe të tjerët nuk pranuan të shohin një Ukrainë të poshtëruar nën këmbët e Putinit, ndërsa Trump përpiqej të mbante një baraspeshë cinike mes agresorit dhe viktimës.
Në fund të ditës, Trump e quajti Putinin “të çmendur”, por e vërteta është se çmenduria është vetë doktrina e Trumpizmit: një përzierje e pavetëdijshme e arrogancës me indiferencën ndaj së drejtës ndërkombëtare.
Por siç thoshte Churchill: “Mirësia ndaj të ligjve është mizori ndaj të pafajshmëve”. Dhe Evropa, ndonëse e lëkundur, këtë herë nuk bëri asnjë kompromis./Pamfleti
Lini një Përgjigje