Politike10 Korrik 2023, 22:08

Dikur mik, sot armik/ Nga Balla, te Nikolla e Felaj, kush janë 8 socialistët që do jenë nesër përballë Ahmetajt?!

Shkruar nga Pamfleti
Dikur mik, sot armik/ Nga Balla, te Nikolla e Felaj, kush janë 8
Balla dhe Ahmetaj

Këshilli i Mandateve ka 15 anëtarë, ku 8 janë të mazhorancës dhe 7 janë të opozitës. Pra, Ahmetaj do të ketë përballë 8 kolegë të tij. Deri dje ai ka bashkëpunuar me të gjithë. Madje me shumë prej tyre ka pasur dhe miqësi...

Ish-ministri Arben Ahmetaj do të dalë nesër përballë kolegëve të tij, të cilët duket se janë urdhëruar ta çojnë në burg. Deri dje ai ishte mik me ta, por nesër ata do të jenë gjykata dhe ai i pandehuri.

SPAK dorëzoi në Kuvend një kërkesë, ku kërkon që t’i hiqet imuniteti Arben Ahmetajt dhe më pas të mund ta arrestojë. Ahmetaj akuzohet si i përfshirë në skandalin e inceneratorëve. Sipas procedurës, duhet të mblidhet Këshilli i Mandateve që të bëjë heqjen e imuniteti. Ky Këshill do të mblidhet nesër pasdite në orën 16.00 dhe do të mbahet me dyer të mbyllura.

Por kush janë anëtarët e komisionit që do të vendosin për fatin e Ahmetajt? Këshilli i Mandateve ka 15 anëtarë, ku 8 janë të mazhorancës dhe 7 janë të opozitës. Pra, Ahmetaj do të ketë përballë 8 kolegë të tij. Deri dje ai ka bashkëpunuar me të gjithë. Madje me shumë prej tyre ka pasur dhe miqësi. Por ata nesër do vendosin për fatin e tij, pasi ashtu është dhënë urdhri.

Në krye do të jetë Lindita Nikolla, ndërsa krah saj do të jenë Taulant Balla, Ermonela Felaj, Arben Pëllumbi, Blerina Gjylameti, Klevis Xhoxhi, Klotilda Bushka dhe Xhemal Qefalia. Mbetet të shihet me interes nëse do të shkojë Taulant Balla, i cili është propozuar për ministër të Brendshëm.

Ndërkohë anëtarët e opozitës janë: Dashnor Sula, Dhurata Çupi, Enkelejd Albieaj, Ervin Salianji, Gazment Bardhi, Greta Bardeli dhe Saimir Korreshi.

Sipas rregullores së Kuvendit, deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes. Avokati i tij tha sot se Ahmetaj do jetë në Kuvend dhe ai do i ketë përballë kolegët e tij, të cilët nuk e dimë nëse do e shohin në sy.

Sipas informacioneve, sot PS ka pasur një mbledhje grupi dhe deputetët janë udhëzuar të votojnë pro kërkesës së SPAK. Pra duket se e gjitha do jetë formale. Pasi të merrte vendimi në Këshillin e Mandateve raporti do shkojë në Kuvend dhe do hidhet në votim në seancë plenare. Me shumë interes do shihet qëndrimi i Ahmetajt, pasi ai do ketë mundësinë të flasë për të gjitha këto akuza. /Pamfleti

ahmetaj balla nikolla